Ten Hag kritikon Ronaldon: Nuk përgatitej siç duhej te Man Unitedi

Ten Hag kritikon Ronaldon: Nuk përgatitej siç duhej te Man Unitedi

Written by

in

Trajneri holandez, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit teknik te Twente, ka deklaruar se ylli portugez nuk po arrinte të përmbushte kërkesat e tij, veçanërisht sa i përket lëvizjeve në zonën kundërshtare dhe angazhimit gjatë lojës.

“Më shumë se një herë i kam thënë: ‘Ronnie, të gjithë duan të punojnë për të të vendosur në pozicionin e duhur, por nëse nuk arrin të futesh në zonë, nuk mund të shënosh’”, ka treguar Ten Hag në një intervistë për “The Athletic”.

Sipas trajnerit holandez, Ronaldo nuk po arrinte të zbatonte atë që kërkohej prej tij, si gjatë fazës sulmuese, ashtu edhe në momentet kur skuadra nuk e kishte topin.

“Ai nuk ishte në gjendje ta bënte këtë. Është e gabuar të thuhet se unë prisja që ai të bënte presion ndaj kundërshtarit dhe se për këtë arsye ishte i rraskapitur. Ai nuk vraponte as kur kishim topin, as kur nuk e kishim atë. Arsyeja ishte se nuk ishte përgatitur siç duhej”, ka deklaruar Ten Hag.

Marrëdhënia ndërmjet Ronaldos dhe Ten Hagut u përkeqësua ndjeshëm gjatë vitit 2022, në muajt e parë të trajnerit holandez në krye të Manchester Unitedit.

Sulmuesi portugez mungoi në turneun parasezonal të klubit, në një periudhë kur mediat raportonin për dëshirën e tij për t’u larguar nga “Old Trafford”. Situata u tensionua edhe më shumë kur Ronaldo refuzoi të hynte në lojë si zëvendësues në ndeshjen kundër Tottenhamit dhe u largua drejt tunelit para përfundimit të takimit.

Si pasojë, Ten Hag e la jashtë skuadrës për ndeshjen e radhës. Një muaj më vonë, Ronaldo dha një intervistë të bujshme për Piers Morgan, në të cilën deklaroi se ndihej i tradhtuar dhe se nuk kishte marrë respektin e duhur nga trajneri.

Pas publikimit të intervistës, Manchester Unitedi njoftoi largimin e tij me efekt të menjëhershëm, duke i dhënë fund aventurës së dytë të portugezit në klub.

Gjatë periudhës kur punoi nën drejtimin e Ten Hagut, Ronaldo regjistroi 16 paraqitje dhe shënoi tri gola, në një nga periudhat më të tensionuara të karrierës së tij në Angli.

Edhe pse kanë kaluar disa vite nga ajo përplasje, deklaratat e fundit të Ten Hagut rikthejnë në vëmendje konfliktin mes dy figurave të futbollit, marrëdhënia e të cilave përfundoi në mënyrë të bujshme.

Burimi: RTKLive