Protesta ka nisur rreth orës 14:00 dhe për rreth një orë është zhvilluar qetësisht. Rreth orës 15:00, situata është tensionuar, ndërsa sipas raportimeve nga vendngjarja, janë dëmtuar rrethimi i jashtëm, porta e oborrit dhe disa xhama të godinës së Ministrisë së Arsimit.
Sipas RTSH-së, gjatë protestës janë hedhur kapsolla, gurë, vezë, molotovë dhe pllaka trotuari në drejtim të godinës dhe forcave të policisë.
Policia e Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar, ka bërë të ditur se një grup pjesëmarrësish ka kryer veprime të dhunshme, duke dëmtuar mjediset e jashtme të institucionit dhe duke goditur efektivët me sende të forta.
Sipas policisë, protestuesve u janë bërë thirrje të përsëritura për të ndërprerë veprimet dhe për t’u larguar nga oborri i institucionit. Më pas, forcat e rendit kanë ndërhyrë duke përdorur spraj me piper, gaz lotsjellës dhe ujë me autobotë.
“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, të transmetuar nga RTSH.
Policia ka njoftuar se 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa gjashtë efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një gazetare kanë mbetur të lënduar.
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të transmetuara nga RTSH, gjithsej 13 persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas përshkallëzimit të situatës.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Dy prej tyre janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa i treti ka vazhduar ekzaminimet.
Në Spitalin Universitar të Traumës janë trajtuar dy gazetare dhe gjashtë efektivë policie. Pas marrjes së kujdesit mjekësor, ata janë larguar nga spitali.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy kalimtarë të rastit, njëri prej të cilëve është shtruar në spital për trajtim të mëtejshëm, ndërsa tjetri është mbajtur nën monitorim.
Lidhur me zhvillimet në protestë ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, i cili ka dënuar sulmet ndaj efektivëve të policisë.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, ka deklaruar Demo.
Edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar, duke dënuar aktet e raportuara gjatë protestës.
“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje”, ka shkruar Koçiu në Facebook.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka bërë thirrje forcave të policisë të mos ushtrojnë dhunë ndaj studentëve.
“Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim!”, ka deklaruar Bardhi.
Sipas RTSH-së, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në veprimet e paligjshme gjatë protestës.
Burimi: RTKLive
