Tentuan t’i iknin Policisë në parkingun e “Hib Petrol” në Ferizaj – shoferi mbyllet në veturë, policët ia thyejnë xhamat dhe gjejnë marihuanë

Tentuan t’i iknin Policisë në parkingun e “Hib Petrol” në Ferizaj – shoferi mbyllet në veturë, policët ia thyejnë xhamat dhe gjejnë marihuanë

Written by

in

Tentuan t’i iknin Policisë në parkingun e “Hib Petrol” në Ferizaj – shoferi mbyllet në veturë, policët ia thyejnë xhamat dhe gjejnë marihuanë

Një tentativë për t’iu shmangur kontrollit policor është kthyer në një ndërhyrje të tensionuar në parkingun e pikës së karburantit “Hib Petrol”, në Bibaj të Ferizajt. Një drejtues automjeti, pasi është bllokuar nga njësitë policore, ka tentuar të largohet duke lëvizur veturën prapa. Kur nuk ka arritur të ikë, dyshohet se ka mbyllur dyert dhe ka refuzuar urdhrat e policëve, të cilët kanë ndërhyrë duke thyer xhamat e automjetit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të hënën, më 2 nëntor, rreth orës 19:55, pasi hetuesit e antidrogës kishin siguruar informacione se dy persona nga Gjilani mund të posedonin substanca narkotike.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy personat e dyshuar janë Dionis Selimi (2001) dhe Enis Fazliu (1998), të cilët ndodheshin në një veturë të tipit Volkswagen Polo, ngjyrë hiri.

Automjeti ishte identifikuar i ndaluar në parkingun e “Hib Petrol”, në Bibaj, ku njësitë e antidrogës, të mbështetura nga Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe një patrullë policore, kanë ndërmarrë veprime për kontrollimin e tij.

Tentoi të largohej, pastaj u mbyll brenda veturës

Sapo njësitë policore e kanë bllokuar automjetin, shoferi Enis Fazliu dyshohet se ka tentuar të largohet duke e lëvizur veturën prapa.

Megjithatë, pasi nuk ka arritur të largohet, ai dyshohet se ka mbyllur dyert e automjetit, duke penguar policët të kryenin kontrollin.

Situata është tensionuar më tej kur, sipas burimeve të Sinjalit, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin forcën për të marrë kontrollin e situatës.

Hetuesit dhe pjesëtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë kanë thyer xhamat e veturës për të hapur dyert dhe për të ndërhyrë.

Por edhe pas hapjes së automjetit, drejtuesi dyshohet se ka vazhduar të kundërshtojë urdhrat, duke bërë rezistencë aktive dhe duke shfaqur sjellje agresive ndaj policëve.

Gjithë ndërhyrja, për 0.1 gram marihuanë

Pas vënies së situatës nën kontroll, është kryer kontrolli i Volkswagen Polos.

Në sirtarin e kroskotit është gjetur një sasi prej vetëm 0.1 gramësh substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila është sekuestruar si provë materiale.

Pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, është autorizuar intervistimi i të dyshuarve dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë eventuale të secilit prej të dyshuarve.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali