Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit do të shqyrtojë raportet me amendamente për pesë projektligje që lidhen me sistemin e drejtësisë, përfshirë rekrutimin, vlerësimin e performancës dhe përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe ndryshimet në ligjet për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Ky komision do të shqyrtojë edhe aplikimet e kandidatëve për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe për pozitën e drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Ndërkaq, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe Komisioni për Arsim do të shqyrtojnë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2027, sipas fushëveprimit të tyre.
Në rend dite të Komisionit për Ekonomi është shqyrtimi i Raportit Vjetor të Punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2025, ndërsa Komisioni për Shëndetësi do të diskutojë për listat e pritjes në institucionet shëndetësore, furnizimin me barna nga lista esenciale dhe pajisjet medicinale.
Komisioni për Mjedis do të shqyrtojë Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2025, në të cilin është e ftuar të marrë pjesë ministrja Fitore Pacolli-Dalipi.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ndërsa Komisioni për Administratë Publike do të shqyrtojë listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Burimi: RTKLive
