Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Written by

in

Policia e Kosovës ka raportuar për shtatë raste të dhunës në familje në raportin 24-orësh, të evidentuara në Prishtinë, Drenas, Obiliq dhe Malishevë.

Sipas raportit policor, disa nga rastet kanë të bëjnë me dhunë psikike dhe kanosje ndaj bashkëshorteve, ndërsa është raportuar edhe një rast i dhunës fizike.

Në Prishtinë, në njërin nga rastet, një grua ka raportuar se për një periudhë të vazhdueshme kishte përjetuar dhunë psikike nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk bashkëjeton prej disa muajsh. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, në Prishtinë është raportuar se një grua ishte kanosur nga ish-bashkëshorti i saj, i cili dyshohej se posedonte armë zjarri në shtëpi. Policia ka bastisur shtëpinë e tij me urdhër të prokurorit, por nuk ka gjetur ndonjë gjë të dyshimtë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në dy raste të tjera në kryeqytet, bashkëshortët dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike dhe kanë kanosur bashkëshortet e tyre. Të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në një rast tjetër në Prishtinë, një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë, një grua ka raportuar se vazhdon të pranojë mesazhe nga ish-bashkëshorti, nga i cili ka frikë. Sipas raportit të Policisë, ajo ishte ndarë nga bashkëshorti para disa muajsh, me të cilin ka dy fëmijë, ndërsa procedura e shkurorëzimit është duke u zhvilluar në gjykatë. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Raste të dhunës në familje janë raportuar edhe në Drenas dhe Obiliq. Në Drenas, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur bashkëshorten, ndërsa është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Në Obiliq, një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj, por i dyshuari nuk është gjetur dhe rasti është duke u hetuar.

Një rast tjetër është raportuar në Malishevë, ku policia ka intervenuar pas një fjalosjeje mes nuses dhe vjehrrit. Të përfshirët janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/