Tetë të vrarë në një seri të shtënash në Turqi – mediat sjellin detaje dhe pamje

Tetë të vrarë në një seri të shtënash në Turqi – mediat sjellin detaje dhe pamje

Written by

in

Tetë persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë në një seri të shtënash në Turqinë perëndimore.

Sulmet ndodhën të enjten në provincën Afyonkarahisar; viktimat u gjetën në disa vendndodhje të ndryshme, brenda tri automjeteve të veçanta, sipas raportimeve lokale.

I dyshuari u arratis, duke nxitur një operacion kërkimi, ndërsa autoritetet më vonë njoftuan se ai ishte arrestuar në provincën Eskişehir, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Pamjet nga kamerat e sigurisë, të publikuara në mediat turke, shfaqnin një burrë të veshur me xhaketë të zezë, pantallona të bardha dhe syze, i cili mbante një armë të gjatë ndërsa qëndronte pranë një furgoni të kuq.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu, raportoi se tre persona u vranë pranë fshatit Ayazini dhe tre të tjerë pranë fshatit Kiyir. Në Yukaritandir, dy gra u gjetën të plagosura, por më vonë ndërruan jetë në spital.

Mes të vrarëve raportohet të jenë edhe dy mësues.

Mediat lokale bënë të ditur se rrugët që të çojnë drejt fshatrave të prekura u mbyllën nga policia, ndërsa forcat e rendit nisën një operacion në shkallë të gjerë për gjetjen e të dyshuarit.

Gazeta “Milliyet” raportoi se një automjet, që dyshohet se ishte marrë nga autori i sulmit, u gjet më vonë i ngecur në baltë; i dyshuari e kishte braktisur atë para se të largohej në këmbë.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Prefektura e Afyonkarahisarit njoftoi se “të gjitha institucionet përkatëse të shtetit tonë kanë punuar në koordinim që nga momenti i parë dhe po kryejnë me përpikëri veprimet e nevojshme”. /Telegrafi/