“Ti je pasardhësi i djalit tim” – nëna e Messit ia tha këtë gjë yllit të ri argjentinas

“Ti je pasardhësi i djalit tim” - nëna e Messit ia tha këtë gjë yllit të ri argjentinas

Written by

in

Futbollisti i Comos, Nico Paz, ka marrë një mesazh të veçantë nga Celia Cuccittini, nëna e Lionel Messit, e cila e sheh atë si pasardhësin e të birit në kombëtaren e Argjentinës.

Bisedën e veçantë e ka zbuluar xhaxhai i futbollistit, Fabián Paz, i cili tregoi se gjithçka kishte ndodhur pas fitores 3-0 të Argjentinës ndaj Beninit, më 6 tetor, në ndeshjen e lamtumirës së Messit.

“Nico doli nga dhoma e zhveshjes dhe aty ishte nëna e Messit. Ajo ishte shumë e emocionuar dhe po qante. Nico shkoi ta përshëndeste, pasi njiheshin, ndërsa ajo ia mori dorën dhe i tha: ‘Ti je pasardhësi i djalit tim’”, rrëfeu Fabián Paz në një intervistë për radion “La Red”.

Sipas tij, futbollisti i Comos mbeti i befasuar nga këto fjalë, të cilat i përjetoi si një moment të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, xhaxhai i tij theksoi se Nico nuk e ka në mendje të bëhet pasardhësi i Messit. Ai e përshkroi si një person të qetë dhe modest, për të cilin përjetimi më i madh ka qenë njohja dhe mundësia për të luajtur përkrah legjendës argjentinase.

“Për të, gjëja më e madhe ishte ta takonte Messin dhe të luante me Leon. Ishte sikur të prekte qiellin me duar”, tregoi Fabián Paz.

Ai shtoi se fakti që Nico jeton jashtë Argjentinës e ndihmon të mos përballet me të njëjtin nivel presioni që përjetojnë futbollistët e tjerë në vend, ku futbolli shoqërohet me një pasion dhe emocion të jashtëzakonshëm.

Vetë Nico Paz ka treguar se nuk mendon për trashëgiminë e fanellës me numrin 10 të Argjentinës, të cilën e kanë bartur emra të mëdhenj si Messi, Diego Maradona, Mario Kempes dhe Juan Román Riquelme.

“E vërteta është se nuk mendoj për këtë. Ajo që dua është t’i shijoj ditë të tilla, të argëtohem në fushë, sepse ajo që dua më shumë është të luaj futboll. Për më tepër, të përfaqësoj kombëtaren dhe kaq shumë njerëz. Për këtë luaj dhe dua të vazhdoj ta bëj”, ka deklaruar Paz.

Ish-futbollisti i Real Madridit ka shënuar katër gola në 48 ditë me Argjentinën, duke realizuar ndaj Bolivisë, Burkina Fasos, Beninit dhe Kosta Rikës. Ndërkohë, klubi madrilen ka mundësinë ta rikthejë atë përmes një klauzole prej 80 milionë eurosh. /Telegrafi/