Kryeqyteti shqiptar do të jetë nesër mikpritës i Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), një takim i nivelit të lartë që do të zhvillohet nën moton “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.
Në samit pritet të marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, të cilët do të diskutojnë mbi zbatimin e reformave, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian të rajonit.
Në samit pritet të marrin pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.
Punimet do të nisin në orën 10:00 me mbërritjen e delegacioneve, ndërsa fjalët hapëse do të mbahen nga Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Në fokus të diskutimeve do të jenë zbatimi i reformave, nxitja e investimeve, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.
Pas përfundimit të sesioneve të punës, liderët do të realizojnë fotografinë zyrtare të samitit, ndërsa në orën 12:30 Kryeministri Rama dhe Komisionerja Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të prezantojnë përfundimet dhe mesazhet kryesore të takimit.
Takimi i nivelit të lartë vjen në një moment të rëndësishëm për rajonin, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë me reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe po zbatojnë projektet e parashikuara në kuadër të Planit të Rritjes, mekanizëm që synon të përshpejtojë integrimin ekonomik dhe europian të rajonit.
Samiti i Tiranës shihet si një tjetër hap në përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me fokus zhvillimin ekonomik, investimet dhe përshpejtimin e rrugës së integrimit europian.
Burimi: RTKLive
