Tomë Gashi ngre akuza për manipulim të provave në rastin e Astrit Deharit: Ai është vrarë

Tomë Gashi ngre akuza për manipulim të provave në rastin e Astrit Deharit: Ai është vrarë

Written by

in

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka deklaruar se pret që Prokuroria Speciale të sjellë epilog për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, duke pretenduar se provat e mbledhura dëshmojnë se ai është vrarë.

Në një deklarim para objektit të Prokurorisë Speciale, në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Gashi ka thënë se familja pret që rasti të trajtohet në bazë të provave dhe jo të mbyllet pa një përgjegjësi konkrete.

“Besoj që epilogu i vetëm përfundimtar është që, në bazë të provave që janë, Astrit Dehari është vrarë para 10 viteve”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka akuzuar ish-kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, se kishte tentuar që rastin ta paraqiste si vetëvrasje para përfundimit të hetimeve.

Gashi ka bërë të ditur se në emër të familjes ka paraqitur kallëzim penal lidhur me deklarimet e Hoxhës, por sipas tij, ky kallëzim ka mbetur pa u trajtuar.

Avokati ka ngritur pretendime edhe për mënyrën se si ishte trajtuar opinioni publik në ditët pas vdekjes së Astrit Deharit. Ai ka përmendur publikimin e disa incizimeve nga burgu i Prizrenit, duke pretenduar se ato u publikuar për të manipuluar opinionin dhe se të njëjtat u publikuan para përfundimit të hetimeve nga Prokuroria.

Gashi ka theksuar se prova kryesore në këtë rast është trupi i Astrit Deharit dhe rezultatet e ekspertizës ligjore nga Zvicra.

“Një miliard për qind jemi të bindur që trupi i Astrit Deharit është prova kryesore që tregon se Astrit Dehari është vrarë. Këtë e thotë edhe ekspertiza ligjore e Zvicrës”, ka deklaruar ai.

Sipas Gashit, në ekspertizë është identifikuar edhe ADN-ja e një personi të tretë. Ai ka ngritur gjithashtu pretendime për një tentim të manipulimit të ekspertëve zviceranë, përmes dërgimit të një plikoje që sipas tij duhej të përmbante mbetje të thonjve të Astrit Deharit, por që kishte qenë e zbrazët.

Ai ka thënë se për këtë çështje kishte pritur që ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të niste procedura penale ndaj prokurorit përgjegjës.

Në fund, Gashi ka kërkuar që rasti të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“Familja e Astritit dhe të gjithë ne kërkojmë drejtësi”, ka thënë ai, duke pretenduar se Astrit Dehari ishte vrarë për shkak të aktivitetit të tij politik në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka shtuar se, sipas tij, provat e rastit dëshmojnë për vrasje dhe se për këtë nuk nevojitet ndonjë interpretim i jashtëzakonshëm, por trajtim serioz i dëshmive nga institucionet e drejtësisë. /Telegrafi/