Ish-veprimtari Faton Topalli ka thënë se nuk kishte informacion paraprak se demonstratat e 11 marsit 1981 në Kosovë do të shpërthenin në atë formë, ndonëse organizata ku vepronte kishte diskutuar mundësinë e shfrytëzimit të rasteve të tilla për ta ngritur kërkesën për Republikë.
Në intervistën në Debat Plus, në kuadër të ciklit “Dosjet”, Topalli e përshkroi fillimin e protestave si spontan, duke e lidhur me pakënaqësinë e studentëve për kushtet në mensën studentore dhe me pakënaqësinë më të gjerë politike e shoqërore në Kosovë.
“Ne s’kemi pasur informacion se si do të rridhnin. Ne kemi pasur qëllim që të organizojmë demonstrata, respektivisht, kudo që paraqitet momenti, me e shtru kërkesën për Republikë”, tha ai.
Topalli tha se, sipas interpretimit të tij, protestat e 11 marsit nuk ishin të organizuara paraprakisht nga një grup i vetëm, pasi në fillim nuk kishte kërkesa të shkruara apo parulla të përcaktuara qartë.
Ai kujtoi se atë ditë po udhëtonte me babanë e tij kur pa një kolonë njerëzish në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
“Unë kam qenë në makinë me prindin tim. Kur e kam parë kolonën e njerëzve në rrugën ‘Agim Ramadani’, i them: ‘Ndale makinën’. E ka ndalur babai im makinën, jam dalë prej makinës dhe iu kam bashkangjitur”, rrëfeu Topalli.
Ai shtoi se në fillim nuk e kishte kuptuar saktësisht se çfarë kërkonin protestuesit, pasi, siç u shpreh, ishte vetëm një grumbull njerëzish i rreshtuar.
Burimi: Dukagjini
