
Të paktën 13 persona kanë humbur jetën pasi një anije që transportonte migrantë është mbytur në brigjet e ishullit grek të Kretës, ndërsa 18 persona të tjerë janë shpëtuar, raporton BBC.
Sipas rojës bregdetare greke, të gjithë të mbijetuarit janë shtetas sudanezë. Katër prej tyre janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, përfshirë edhe një fëmijë të vogël.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të vdekjeve, por dyshohet se anija kishte qëndruar në det për disa ditë dhe kishte hasur vështirësi për të arritur në breg për shkak të erërave të forta. Një zyrtar i rojës bregdetare i tha Reutersit se të mbijetuarit “po dridheshin nga të ftohtit”.
Anija u pikas nga një kontejnerësh me flamur maroken, rreth 15 milje detare larg brigjeve të Kretës, pas së cilës nisi operacioni i shpëtimit.
Ndërkohë, roja bregdetare greke ka shpëtuar edhe 187 migrantë të tjerë në tri incidente të ndara përgjatë brigjeve të vendit, të ndodhura të hënën.
Kreta mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes për migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 37 mijë migrantë kanë mbërritur në Greqi këtë vit, duke tejkaluar tashmë numrin e të ardhurve gjatë gjithë vitit 2025.
Përballë rritjes së fluksit, qeveria greke ka paralajmëruar masa të reja, përfshirë hapjen e një kompleksi të përkohshëm banimi pranë Heraklionit, kryeqytetit të Kretës.
Greqia ishte një nga pikat kryesore të krizës së migracionit në Evropë gjatë viteve 2015-2016, kur në ishujt e saj mbërritën afro një milion njerëz, kryesisht përmes Turqisë. Ndërsa kalimet nga Libia janë shtuar vitet e fundit, veçanërisht nga persona që largohen nga konflikti në Sudan dhe kërkojnë kushte më të mira jetese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali