
Një aksident i rëndë me pasoja tragjike ka ndodhur të martën në autostradën A1 në Bullgarinë lindore, ku si pasojë e mjegullës së dendur janë përfshirë dhjetëra automjete në të dyja anët e rrugës. Sipas konfirmimit nga kryeministri bullgar Rumen Radev, nga kjo fatkeqësi kanë humbur jetën 11 persona, ndërsa Ministria e Brendshme bëri të ditur se 50 të tjerë të plagosur janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendin e ngjarjes, në aksin që lidh Sofjen me Burgasin, kanë ndërhyrë menjëherë forca të shumta policore, zjarrfikës dhe ekipe të ndihmës së shpejtë. Pamjet nga mediat vendase tregojnë një skenë të rëndë me makina dhe kamionë të shtypur, të përmbysur dhe të grumbulluar në gjashtë korsi të autostradës.
Kryeministri Radev e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi” dhe njoftoi se janë angazhuar edhe avionë për evakuimin e të plagosurve. Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ndodhej për vizitë në Bullgari, shprehu ngushëllimet e saj të thella për viktimat dhe njoftoi ndërprerjen e vizitës.
Nga hetimet e para, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Lyubomir Nikolov, bëri të ditur se shkak kryesor dyshohet të ketë qenë mjegulla e dendur, ndërsa zëra nga vendngjarja tregojnë se gjithçka nisi me përplasjen fillestare mes një autobusi dhe një kamioni.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali