Tragjedi në Greqi/ Shembet ndërtesa gjatë shuarjes së zjarrit, humbin jetën dy zjarrfikës, plagoset një tjetër

Tragjedi në Greqi/ Shembet ndërtesa gjatë shuarjes së zjarrit, humbin jetën dy zjarrfikës, plagoset një tjetër

Written by

in

Tragjedi në Greqi/ Shembet ndërtesa gjatë shuarjes së zjarrit, humbin jetën dy zjarrfikës, plagoset një tjetër

Një operacion për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në zonën e Zefyrit, në bashkinë e Fylit, në Greqi, është kthyer në tragjedi pasditen e së shtunës.

Dy zjarrfikës, përkatësisht 23 dhe 44 vjeç, kanë humbur jetën pasi një pjesë e ndërtesës u shemb ndërsa ata po ndërhynin për të shuar flakët. Një tjetër efektiv mbeti i plagosur.

Zjarri ra në një godinë të braktisur në rrugën Katsantoni. Sipas autoriteteve, njoftimi për ngjarjen u mor rreth orës 11:40, ndërsa në vendngjarje u dërguan 20 zjarrfikës me gjashtë automjete, nga disa stacione zjarrfikëse të Athinës, si dhe forca të Njësisë Speciale të Menaxhimit të Fatkeqësive (EMAK).

Gjatë ndërhyrjes, në momentin që efektivët ndodheshin brenda ndërtesës, një pjesë e saj u shemb, duke shkaktuar alarm për nxjerrjen e zjarrfikësve të bllokuar.

Dy prej tyre u nxorën fillimisht pa ndjenja nga rrënojat dhe u transportuan me ambulancë drejt një spitali në Atikë. Pak më vonë, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin edhe një zjarrfikës tjetër, i cili kishte mbetur i plagosur.

Rrethanat e sakta të vdekjes së dy efektivëve mbeten ende për t’u përcaktuar. Autoritetet po hetojnë nëse ata humbën jetën për shkak të asfiksisë nga tymi dhe kushtet e vështira brenda ndërtesës, apo si pasojë e shembjes dhe goditjes nga materialet ndërtimore.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekspertët e Departamentit të Hetimit të Zjarreve në Athinë, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit dhe shembjes së godinës.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje në radhët e shërbimit zjarrfikës grek. Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Evangelos Tournas, shprehu ngushëllimet për familjet e dy efektivëve që humbën jetën në krye të detyrës.

“Sot, familja e Shërbimit Zjarrfikës mban zi për dy prej njerëzve të saj, të cilët humbën jetën në krye të detyrës”, deklaroi ministri, duke i uruar gjithashtu shërim të shpejtë dhe të plotë efektivit të plagosur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali