Tragjedi në Indonezi, 24 të vdekur nga zjarri në një fabrikë – dhjetëra punëtorë rezultojnë të zhdukur

Tragjedi në Indonezi, 24 të vdekur nga zjarri në një fabrikë – dhjetëra punëtorë rezultojnë të zhdukur

Written by

in

Tragjedi në Indonezi, 24 të vdekur nga zjarri në një fabrikë – dhjetëra punëtorë rezultojnë të zhdukur

Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një fabrikë ëmbëlsirash në Indonezi ka shkaktuar të paktën 24 viktima, ndërsa rreth 30 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave të ndërtesës së dëmtuar rëndë nga flakët.

Zjarri shpërtheu të shtunën në mbrëmje në fabrikën PT Fonusa Agung Mulia, në zonën Cikande të provincës Banten, rreth një orë larg kryeqytetit Xhakarta.

Sipas autoriteteve indoneziane, rreth 300 punëtorë ndodheshin në kompleksin e fabrikës gjatë ndërrimit të së shtunës. Prej tyre, 65 besohet se ishin në pjesën e godinës që u përfshi nga zjarri.

Këshilltari presidencial për çështjet e punës, Said Iqbal, konfirmoi vdekjen e 24 personave, ndërsa bëri të ditur se po shqyrtohet edhe zbatimi i protokolleve të sigurisë në vendin e punës.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë hasur vështirësi për shkak të strukturës së paqëndrueshme të ndërtesës dhe vatrave të mbetura të zjarrit. Deri më tani, 29 persona janë konfirmuar të sigurt, pesë prej të cilëve kanë marrë trajtim në spital.

Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner, por shkaku zyrtar ende nuk është përcaktuar.

Për shkak të intensitetit të flakëve, viktimat e gjetura nuk mund të identifikohen përmes pamjes fizike. Policia ka nisur mbledhjen e mostrave të ADN-së nga familjarët, proces që mund të zgjasë disa javë.

Ndërkohë, këshilltari presidencial ka paralajmëruar se do ta thërrasë drejtuesin e kompanisë për të dhënë sqarime lidhur me tragjedinë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali