
Institucionet kishin informacione për problemet familjare dhe dhunën në familje në familjen ku humbën jetën një 27-vjeçar dhe vajza e tij tremuajshe në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Këtë e ka konfirmuar Qendra për Punë Sociale në Kamenicë në një përgjigje për KIKS Kosovën, duke bërë të ditur se rasti ishte raportuar nga Policia më 10 prill 2026.
Sipas QPS-së, nëna e foshnjës kishte qenë në kontakt me këtë institucion si viktimë e dhunës në familje.
Prindërit e foshnjës, të cilët kishin qenë të fejuar, ishin ndarë gjatë shtatzënisë së gruas, pas mosmarrëveshjeve mes tyre.
Nëna kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, ndërsa më 31 korrik, në ditën e lindjes, ishte deklaruar se nuk dëshironte ta merrte vajzën në përkujdesje.
QPS-ja bën të ditur se nëna nuk kishte kërkuar as ta shihte foshnjën dhe nuk ia kishte vendosur emrin, duke u pajtuar me atë që kishte zgjedhur babai.
Ndërkohë, QPS-ja në Gjilan e kishte informuar atë në Kamenicë se babai kishte pasur probleme me substanca narkotike, por se ishte trajtuar dhe gjendja e tij ishte përmirësuar.
Pavarësisht këtyre informacioneve, dy qendrat për punë sociale ishin pajtuar që foshnja t’i besohej babait dhe familjes së tij.
Në përgjigjen për KIKS Kosovën, QPS-ja në Kamenicë ka pranuar se në kohën e vendosjes së fëmijës në bashkim familjar nuk e kishte në dispozicion vendimin për urdhrin e mbrojtjes emergjente, të cilin e kishte siguruar vetëm më vonë.
Po ashtu, institucioni ka bërë të ditur se nuk kishte informacione të detajuara për gjendjen psikologjike të babait dhe trajtimin e tij nga profesionistët e shëndetit mendor.
Si sfida në punën e saj, QPS-ja ka përmendur mungesën e psikologut dhe numrin e pamjaftueshëm të stafit.