Transferimi i 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë pritet të nisë në 2027

Transferimi i 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë pritet të nisë në 2027

Written by

in

Transferimi i 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë pritet të nisë në vitin 2027, në kuadër të marrëveshjes mes dy vendeve për shfrytëzimin e burgut në Gjilan.

Kështu u tha në konferencën ndërkombëtare “Zbatimi i marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe çështjet operacionale”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se marrëveshja ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024 dhe parasheh transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në burgun e Gjilanit.

“Jemi përballë realitetit që kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashikohet që 300 të burgosur të transferohen nga Danimarka në burgun e Gjilanit.

Pra, Kosova do të shërbejë si vend i cili do t’i strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, nën administrimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës”, tha Rushiti.

Rushiti tha se konferenca ka për qëllim diskutimin e sfidave ligjore, përgjegjësive institucionale dhe përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes, me fokus në garantimin e të drejtave dhe trajtimin dinjitoz të të burgosurve që do të transferohen në Kosovë./kp/