
Tre të rinj nga Korça janë arrestuar në kuadër të operacionit policor “Tranzit 4”, pasi dyshohet se po transportonin në mënyrë të kundërligjshme nëntë emigrantë nga vendet e treta, kundrejt përfitimit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, të arrestuarit janë A.D., 25 vjeç, M.T., 21 vjeç dhe K.N., 23 vjeç, të gjithë banues në Korçë.
Ata u kapën në flagrancë në orët e para të mëngjesit, teksa transportonin emigrantët me dy automjete. Sipas dyshimeve, nëntë shtetasit e huaj kishin hyrë ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në Korçë dhe më pas do të dërgoheshin drejt pikave të kalimit kufitar në Han të Hotit dhe Morinë.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.
Hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali