
Trepça po kalon një periudhë shumë pozitive, duke regjistruar tri fitore radhazi në Superligën e Kosovës dhe tri të tjera në FIBA Europe Cup.
Fitoren e tretë evropiane radhazi, kampionia e Kosovës e arriti të mërkurën ndaj Batumit në Tbilisi të Gjeorgjisë, duke forcuar pozitën e saj në Grupin A.
Drejtori i klubit, Izet Tahiri, ka vlerësuar paraqitjet e ekipit, duke thënë se seria e fitoreve ka krijuar energji pozitive dhe motivim për ndeshjet e ardhshme.
Ai ka bërë të ditur se Trepça synon ta vazhdojë këtë ritëm edhe në përballjen e së dielës ndaj Sigal Prishtinës, në një derbi që Tahiri e ka cilësuar si “El Clasico” të basketbollit kosovar.
“Prishtina nuk është skuadër që duhet nënçmuar. Ka në mesin e saj lojtarë të huaj, të mirë dhe cilësorë. Ka disa probleme siç dihet, por ne udhëtojmë për të fituar. Shpresojmë ta shënojmë fitoren e katërt rresht në Superligë”, ka deklaruar Tahiri.
Pas përballjes me Prishtinën, mitrovicasit do të udhëtojnë drejt Gjermanisë, ku të mërkurën do të përballen me Trierin në kuadër të FIBA Europe Cup. Edhe në këtë ndeshje, synimi i tyre është të kërkojnë fitoren.
Trepça aktualisht renditet në vendin e dytë të Grupit A me shtatë pikë, një më pak se Trieri, që ka fituar të gjitha katër ndeshjet e zhvilluara.
Pas tyre renditen Spliti dhe Patrasi me nga gjashtë pikë, Opava me pesë, ndërsa Batumi e mbyll grupin me katër pikë.
Tahiri ka vlerësuar se kalimi i fazës së grupeve do të përbënte sukses të rëndësishëm për klubin, i cili synon të përfaqësojë sa më mirë Mitrovicën dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, në FIBA Europe Cup garon edhe Bashkimi, që në Grupin F ka një fitore dhe dy humbje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali