Ngjyra bordo mbetet klasiku i sezonit të ftohtë, por këtë herë kombinimet e papritura i japin një dimension krejtësisht të ri
Pavarësisht se cilat ngjyra dominojnë koleksionet e modës, bordo rikthehet çdo vjeshtë dhe dimër, duke iu përshtatur në mënyrë të natyrshme atmosferës së sezonit të ftohtë.
Megjithatë, kombinimi i vazhdueshëm me të zezën apo veshjet monokromatike mund ta bëjë këtë nuancë disi monotone.
Këtë sezon, modelja Emily Ratajkowski tregoi se sa interesante mund të duket ngjyra bordo kur kombinohet me nuanca më të guximshme.
Ajo bashkoi çizmet bordo me një bodi të zi prej dantelle dhe një fund lëkure në ngjyrë të verdhë mustardë. Rezultati ishte një kombinim elegant, modern dhe plot karakter.
Frymëzuar nga koleksionet e shtëpive të njohura të modës, ne veçojnë tri kombinime që meritojnë vëmendje këtë sezon, transmeton Telegrafi.
Bordo me të verdhën mustardë
Ngrohtësia e ngjyrës mustardë dhe thellësia e bordosë krijojnë një kontrast të sofistikuar, me një prekje retro.
Një pulovër në ngjyrë mustardë, e kombinuar me pantallona bordo, apo një fund i verdhë me çizme në ngjyrë vere, krijon një paraqitje elegante dhe të veçantë.
Aksesorët e zinj ose në ngjyrë kafe të errët e plotësojnë natyrshëm këtë kombinim.
Bordo me rozën
Edhe pse i përkasin së njëjtës familje kromatike, bordo dhe roza krijojnë një kontrast tërheqës mes intensitetit dhe delikatesës.
Roza e pudrosur zbut karakterin dramatik të bordosë, ndërsa nuancat më intensive krijojnë një pamje ekspresive dhe bashkëkohore.
Provoni një pallto bordo me një pulovër rozë të çelët ose një fund saten rozë me çizme bordo.
Ky kombinim është ideal për ata që dëshirojnë t’i japin gardërobës dimërore një karakter romantik, pa humbur elegancën.
Bordo me portokallinë
Ndoshta kombinimi më i guximshëm nga të tre, bordo dhe portokallia krijojnë një harmoni vizuale plot energji.
Nuancat e portokallisë së djegur, bakrit dhe terrakotës harmonizohen veçanërisht bukur me tonet e thella të bordosë.
Një çantë portokalli me një pallto bordo ose një pulovër portokalli me një fund në ngjyrë vere mjaftojnë për të krijuar një paraqitje origjinale.
Këtë dimër, bordo nuk ka pse të mbetet vetëm sinonim i elegancës klasike. Me kombinimet e duhura, ajo mund të bëhet edhe ngjyra më ekspresive e gardërobës suaj. /Telegrafi/