
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për vendet aleate të SHBA-së në Lindjen e Mesme, duke kërkuar prej tyre mbulimin e plotë të shpenzimeve marramendëse ushtarake që Uashingtoni ka pasur gjatë konfliktit tetëmujor me Iranin.
Ai ka bërë me dije se të gjitha shtetet që kanë qenë nën mbrojtjen ushtarake amerikane duhet të kthejnë paratë e shpenzuara për këtë luftë, duke nëvizuar se pa ndihmën e SHBA-së, vendet e rajonit – përfshirë Izraelin – nuk do të mund të ekzistonin përballë sulmeve me dronë dhe raketa nga Teherani.
Kjo deklaratë e prerë vjen pas goditjes politike që pësuan republikanët në zgjedhjet e fundit të mesmandatit, ku pakënaqësia e votuesve ndaj luftës dhe rritja e çmimeve të karburanteve luajtën një rol kyç.
Kostoja marramendëse e luftës dhe kjo që kërkohet të paguhet:
47 miliardë dollarë – është faturimi i përgjithshëm i përlogaritur për konfliktin tetëmujor me Iranin.
13 miliardë dollarë – janë shpenzuar vetëm për raketa interceptuese të mbrojtjes ajrore për të mbrojtur rajonin.
Mbi 1.700 raketa Patriot dhe 200 raketa THAAD – janë përdorur gjatë luftimeve, me një kosto prej rreth 4 milionë dollarësh për vetëm një raketë Patriot.
3 miliardë dollarë në muaj – kapte kostoja e luftimeve gjatë fazave më intensive të bombardimeve.
Përveç shpenzimeve të drejtpërdrejta ushtarake, kostoja përfshin edhe konsumin gjigant të karburantit ushtarak dhe rindërtimin e bazave amerikane të dëmtuara në rajon.
Ndryshime drastike edhe për ndihmën ndaj Izraelit
Trump ka paralajmëruar lëvizje të fuqishme edhe sa i përket financimit ushtarak për Izraelin, duke bërë me dije ndalimin e rreth 4 miliardë dollarëve ndihmë vjetore deri në fund të vitit 2026. Ndaj këtij qëndrimi ka pasur reagime zyrtare ku është theksuar se mbrojtja e Izraelit shërben edhe për përballjen me kërcënimet ndaj vetë Perëndimit, mirëpo është pranuar mundësia e përshtatjes së marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen.
Në mungesë të një marrëveshjeje përfundimtare për kufizimin e programit bërthamor iranian, Trump ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të sulmeve ushtarake në shkallë të gjerë.
Burimi: Sinjali