Trump paralajmëron banorët e Kansasit se SHBA-ja do të “digjet” si Franca nëse fitojnë demokratët

Trump paralajmëron banorët e Kansasit se SHBA-ja do të "digjet" si Franca nëse fitojnë demokratët

Written by

in

Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump përdori trazirat e dhunshme në Francë si argument kundër demokratëve, në betejën e tij për të mbrojtur një vend në Senat për Kansasin – një vend që mbahet prej kohësh nga republikanët, por që tani rrezikon të kalojë në duart e kundërshtarëve të tij politikë.

Tubimi i Trumpit në mbështetje të senatorit aktual republikan, Roger Marshall, ishte ndalesa e tij më e fundit në shtetet konservatore, ku kandidatët republikanë ndodhen në pozita mbrojtëse për shkak të pakënaqësisë së votuesve lidhur me luftën në Iran dhe rritjen e çmimeve.

“Ju dua, Kansas, por jam këtu për një njeri që quhet Roger Marshall”, tha Trump, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Si një element të ri në fjalimet e tij elektorale, Trump përmendi protestat e gjera në Francë si një skenar që mund të shpërthejë edhe në Shtetet e Bashkuara, nëse nuk fitojnë republikanët.

Ai nuk ofroi asnjë provë për këtë pretendim.

Ditët e fundit, Franca është përfshirë nga disa prej trazirave më të rënda të viteve të fundit; protestat masive për koston e jetesës dhe shërbimet publike të nënfinancuara janë shndërruar në trazira dhe plaçkitje.

Dhe vetë Trump thuhet se ka hasur vështirësi në përpjekjet për t’i bërë mallrat dhe shërbimet më të përballueshme për qytetarët në Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij, Trump iu rikthye retorikës kundër emigrantëve dhe myslimanëve – të njëjtës qasje që ai përdori për të nxitur fushatat e tij presidenciale, shkruan Reuters.

“Nuk do ta lejojmë që kjo t’i ndodhë këtij vendi”, tha ai. “Kur shihni kulla kishash që digjen dhe zjarre të mëdha në Francë, mbani mend se pikërisht këtë duan t’i bëjnë Amerikës ‘Demokratët radikalë’ (Dumocrats)”.

Trump i ka tallur demokratët duke i quajtur “Dumocrats” (një lojë fjalësh që në anglisht nënkupton “demokratë budallenj”).

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar shpesh Trumpin ndër vite për retorikën e tij, përmes së cilës ai ka vënë në shënjestër dhe ka tallur emigrantët e grupet e pakicave etnike.

Grupet për të drejtat civile theksojnë se një retorikë e tillë normalizon qëndrimet diskriminuese ndaj këtyre komuniteteve.

Kansas, një shtet konservator në rajonin e Mesperëndimit – të cilin Trump e fitoi me një diferencë prej 16 pikësh në vitin 2024 – nuk ka zgjedhur asnjë demokrat në Senatin amerikan prej 94 vitesh.

Senatori Marshall, i cili është në mandatin e tij të parë, po përballet me një garë të ngushtë kundër kandidatit demokrat Adam Hamilton – pastor i një kishe të madhe metodiste – i cili kundërshton agjendën e tarifave të Trumpit dhe atë që ai e quan “udhëheqje të çrregullt” të presidentit. /Telegrafi/