
Katari dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme të mbrojtjes së ndërsjellë, përmes së cilës synojnë të forcojnë bashkëpunimin ushtarak dhe strategjik, si dhe të koordinojnë qëndrimet në rast të një sulmi të armatosur nga jashtë.
Marrëveshja u nënshkrua të premten në Stamboll, gjatë takimit mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe emirit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, të cilët bashkëdrejtuan mbledhjen e Komitetit të Lartë Strategjik të dy vendeve.
Sipas deklaratës së përbashkët, marrëveshja synon forcimin e mbrojtjes kolektive dhe sigurisë rajonale, si dhe krijimin e një qëndrimi të unifikuar përballë çdo sulmi të armatosur nga jashtë, që mund të shënjestrojë njërin ose të dyja shtetet.
Palët janë pajtuar që të zhvillojnë konsultime për kërcënimet ndaj sigurisë së tyre dhe të thellojnë bashkëpunimin përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake, industrisë së mbrojtjes dhe shkëmbimit të personelit për trajnim.
Presidenca turke bëri të ditur se Erdogan ka theksuar se të dyja vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin për të parandaluar rifillimin e luftës në rajonin e Gjirit dhe për të krijuar kushte për dialog e paqe. Ai gjithashtu nënvizoi se marrëveshja do të zgjerojë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.
Gjatë takimit, dy liderët diskutuan edhe për sulmet izraelite në Gaza dhe gjendjen humanitare në territorin palestinez, përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në Siri, si dhe zhvillimet e fundit në Libi.
Përveç marrëveshjes së mbrojtjes, Katari dhe Turqia nënshkruan edhe disa marrëveshje të tjera që përfshijnë fushat e tregtisë, energjisë, diplomacisë, arsimit dhe kulturës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali