
Tyson Fury ka marrë miratimin mjekësor për t’u ngjitur në ring ndaj Anthony Joshuas, duke i dhënë fund dyshimeve për zhvillimin e njërës prej përballjeve më të shumëpritura në boksin britanik.
Dueli mes dy boksierëve britanikë është planifikuar të zhvillohet më 11 dhjetor në stadiumin “Principality” në Cardiff, por ishte vënë në pikëpyetje pas pretendimeve se Fury vuante nga skizofrenia.
Megjithatë, pas një rishikimi të përshpejtuar mjekësor, sekretari i përgjithshëm i Bordit Britanik të Kontrollit të Boksit, Robert Smith, ka konfirmuar se dokumentacioni mjekësor i boksierit është në rregull.
“Të gjitha kontrollet mjekësore të përditësuara janë të kënaqshme dhe promotorët janë njoftuar këtë mëngjes”, ka deklaruar Smith.
Dyshimet për gjendjen shëndetësore të Furyt u ngritën pas publikimit të një dokumentari të Netflixit, ku bashkëshortja e tij, Paris, përmendi skizofreninë gjatë diskutimit për gjendjen mendore të boksierit.
Ajo më vonë sqaroi se Fury nuk vuan nga kjo sëmundje dhe se nuk është diagnostikuar asnjëherë me të. Pas informacioneve të reja të pranuara nga familja, Netflix konfirmoi se pjesa përkatëse është larguar nga dokumentari.
Ndërkohë, përballja me Joshuan pritet të jetë një ngjarje gjigante edhe në aspektin financiar. Sipas raportimeve, dy boksierët mund të përfitojnë së bashku rreth 150 milionë dollarë.
Dueli pritet të transmetohet në platformën Netflix, ndërsa fillimi është planifikuar në orët e para të mëngjesit sipas kohës britanike, për t’iu përshtatur audiencës amerikane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali