U kap duke kontrabanduar mbi 90 gjarpërinj e hardhuca në aeroport, burri kishte dalë pozitiv për kokainë

U kap duke kontrabanduar mbi 90 gjarpërinj e hardhuca në aeroport, burri kishte dalë pozitiv për kokainë

Written by

in

U kap duke kontrabanduar mbi 90 gjarpërinj e hardhuca në aeroport, burri kishte dalë pozitiv për kokainë

Një 45-vjeçar nga Meksika është ndaluar në Aeroportin Këln-Bon në Gjermani, pasi u përpoq të kontrabandonte më shumë se 90 zvarranikë, përfshirë dhjetëra gjarpërinj helmues dhe hardhuca.

Sipas BBC-së, burri, i cili punon si zjarrfikës në Meksikë, tërhoqi vëmendjen e zyrtarëve doganorë për shkak të sjelljes së tij të shqetësuar, derisa po përpiqej të kalonte përmes daljes së gjelbër, ku udhëtarët deklarojnë se nuk kanë mallra për të raportuar.

Fillimisht, atij iu bë një test për lëndë narkotike, i cili rezultoi pozitiv për kokainë. Megjithatë, gjatë kontrollit të valixhes nuk u gjet drogë, por një numër i madh zvarranikësh të fshehur në shishe shamposh e kremrash, enë plastike dhe çorape të mbledhura.

Në mesin e kafshëve u gjetën 37 gjarpërinj helmues dhe 55 hardhuca, përfshirë iguana. Sipas zëdhënësit të zyrës doganore të Këlnit, Jens Ahland, disa prej tyre mbaheshin në kushte çnjerëzore, ndërsa të tjerë kishin ngordhur gjatë udhëtimit nga Meksika, përmes Stambollit.

I dyshuari u tha zyrtarëve se kafshët i kishte sjellë si nder për një të njohur nga Brazili. Megjithatë, atij iu ndalua hyrja në Gjermani dhe u kthye në Stamboll.

Ndërkohë, zvarranikët që kanë mbijetuar janë dërguar në një qendër për gjarpërinj në Gjermani, ku po mbahen nën kujdes.

Ky nuk është rasti i parë i kontrabandës së zvarranikëve në këtë aeroport. Gjashtë vjet më parë, doganierët kishin zbuluar 26 zvarranikë të rrallë, 10 prej të cilëve kishin ngordhur, të fshehur në pako me lodra dhe ëmbëlsira nga Meksika. Kafshët atëherë ishin destinuar për blerës privatë në Gjermani.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post U kap duke kontrabanduar mbi 90 gjarpërinj e hardhuca në aeroport, burri kishte dalë pozitiv për kokainë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali