
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar nga një muaj paraburgim për tre personat e arrestuar në rastin e sekuestrimit të rreth 136 kilogramëve marihuanë në autostradën “Arbën Xhaferi”, në kuadër të operacionit të koduar “Kufiri 2”.
Të dyshuarit Avdush Nuhiu, rreth 33-vjeçar, Taulant Etemi, rreth 35-vjeçar, dhe Albina Cani, rreth 27-vjeçare, do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Siç ka raportuar më herët Gazeta Sinjali, në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë katër persona, ndërsa i dyshuari i katërt, Jasir Bardi, ndodhet në arrati.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Nuhiu dhe Cani udhëtonin me një veturë “VW Tiguan”, duke përcjellë rrugën përpara automjetit “Audi A6”, në të cilin transportohej droga. Këtë të fundit dyshohet se e drejtonte Etemi.
Ndërkaq, Bardi dyshohet se kishte rolin e vëzhgimit të rrugës, duke lëvizur përpara automjeteve të tjera.
Gjatë tentimit për t’u ndaluar nga policia, Etemi dyshohet se nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë dhe vazhdoi ikjen me shpejtësi të madhe, duke shkaktuar një aksident trafiku ku u lënduan dy persona.
Pas ndërhyrjes së policisë, ai u arrestua, ndërsa në automjet u gjet edhe substanca e dyshuar narkotike.
Përveç rreth 136 kilogramëve marihuanë, gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri vetura, një motoçikletë katërrotëshe (ATV) dhe 680 euro para të gatshme.
Gazeta Sinjali ka raportuar më herët edhe për dyshimet se droga ishte planifikuar të transportohej nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, drejt Turqisë, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali