Shpërthimi i Ebolas, i cili filloi në Republikën Demokratike të Kongos në muajin maj – dhe që tashmë është shpërthimi më i përhapur dhe me përhapjen më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë – ka shkaktuar pothuajse 10,000 raste të konfirmuara në të gjithë Afrikën.
I vetmi rast i konfirmuar në Nigeri, në kuadër të shpërthimit më të fundit vdekjeprurës të Ebolas në Afrikë, u transportua të hënën nga kryeqyteti Abuja drejt Zvicrës.
Si kundërpërgjigje, Uganda – vend që në muajin gusht u shpall i lirë nga kjo sëmundje – forcoi të dielën kontrollet në kufijtë e saj.
Pacientja e evakuuar, një shtetase zvicerane 42-vjeçare dhe bashkëshortja e një punonjësi të ambasadës me shërbim në Abuja, kishte udhëtuar në Ugandë së bashku me bashkëshortin e saj, përpara se të kthehej në Nigeri.
Ajo nuk e ka vizituar Republikën Demokratike të Kongos dhe besohet se është infektuar me virusin në Ugandë, bëri të ditur të premten për agjencinë “The Associated Press” Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.
Ministria e Shëndetësisë e Ugandës njoftoi më 23 tetor se pacientja nuk shfaqte asnjë simptomë në momentin kur u largua nga Uganda, duke shtuar se po kryhen hetime për të përcaktuar se kur filluan simptomat dhe se si u infektua ajo.
Gjendja e saj është “përmirësuar ndjeshëm; ajo është e qëndrueshme, e vetëdijshme, komunikon, ndërsa rezultatet e analizave laboratorike po i afrohen vlerave normale”, deklaroi ministri i Shëndetësisë i Nigerisë, Muhammad Ali Pate, në një postim në platformën X. “Kjo nuk do të thotë se ajo nuk është më ngjitëse”, shtoi ai.
Autoritetet shëndetësore nigeriane kanë identifikuar 53 persona që kanë pasur kontakte me pacienten, përfshirë punonjës të kujdesit shëndetësor, të afërm dhe staf shtëpiak.
Të dielën, ato njoftuan se e kanë zgjeruar kërkimin për raste të mundshme, duke gjurmuar edhe nëntë persona të tjerë që kanë pasur kontakte me të.
Bashkëshorti i saj nuk shfaq asnjë simptomë dhe vazhdon të qëndrojë i izoluar.
Të premten, Pate deklaroi se infeksioni i gruas duket se lidhet ngushtë me rastin e parë të regjistruar në Kenia, por theksoi se kjo nuk përcakton domosdoshmërisht rrugën e transmetimit.
Ky nuk është rasti i parë në të cilin një pacient transportohet në Evropë për trajtim mjekësor.
Që nga maji i vitit 2026, tre persona të infektuar me Ebolan – në kuadër të këtij shpërthimi – janë evakuuar për arsye mjekësore drejt Evropës për të marrë kujdes të specializuar: dy në Gjermani dhe një në Holandë.
Të tre ishin punonjës të kujdesit shëndetësor ose punonjës humanitarë në zonat e prekura të Kongos.
Në korrik, një person tjetër u evakuua në Mbretërinë e Bashkuar pasi mund të ketë qenë i ekspozuar ndaj virusit, ndërsa trajtonte pacientë me Ebola në Kongo. /Telegrafi/