Ushtari i plagosur i FSK-së do t’i nënshtrohet nesër operimit

Ushtari i plagosur i FSK-së do t’i nënshtrohet nesër operimit

Written by

in

Ushtari i plagosur i FSK-së do t’i nënshtrohet nesër operimit

Pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Valdrin Zyhrani, i cili u lëndua gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës në Gjakovë, do t’i nënshtrohet nesër paradite një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Xhavit Gashi, i cili bëri të ditur se ushtari ka pësuar thyerje në një unazë të shtyllës kurrizore, por aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Valdrin Zyhrani, me prejardhje nga Skenderaj dhe i angazhuar në kazermën e FSK-së në Gjilan, pësoi lëndime të rënda gjatë ushtrimeve në terren, ndërsa dyshohet se shkak i incidentit ishte sërish shpërthimi i municionit të prodhimit turk.

Menjëherë pas incidentit, ushtari u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku më pas u transferua në Klinikën e Ortopedisë.

Ky rast rikthen sërish në vëmendje shqetësimet serioze për sigurinë e pjesëtarëve të FSK-së dhe përdorimin e municionit turk gjatë ushtrimeve ushtarake. Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe më herët për një incident të ngjashëm, kur një municion 40-milimetërsh i prodhimit turk kishte shpërthyer brenda granatahedhësit automatik amerikan MK-19, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e një ushtari.

Sipas burimeve të Sinjalit, probleme me këtë lloj municioni ishin evidentuar edhe më parë dhe lidhur me to ishin paraqitur ankesa e paralajmërime të vazhdueshme.

Gazeta Sinjali, që nga mbrëmja e 23 nëntorit, ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Forca e Sigurisë së Kosovës lidhur me rastin dhe rrethanat e plota të ngjarjes, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar asnjë reagim.

Shkaqet e sakta të incidentit dhe dyshimet për përfshirjen e municionit turk mbeten për t’u konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet kompetente.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali