Vaksinimi kundër gripit sezonal, QKMF në Prishtinë: Kemi vaksina të mjaftueshme

Vaksinimi kundër gripit sezonal, QKMF në Prishtinë: Kemi vaksina të mjaftueshme

Written by

in

Vaksinimi kundër gripit sezonal ka nisur në Prishtinë, ndërsa interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinën po vlerësohet i mirë. Deri në përditësimin e fundit të statistikave, rreth 600 qytetarë janë vaksinuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe qendrat e tjera të mjekësisë familjare.

Gani Zabeli, banor i lagjes Kalabria në Prishtinë, prej më shumë se 15 vjetësh vaksinohet çdo vjeshtë kundër gripit sezonal. Ai thotë për KosovaPress se këtë vaksinë e merr rregullisht për t’u mbrojtur nga sëmundjet e stinës së vjeshtës dhe dimrit.

Pasi që në lagjen ku ai banon, vaksinat nuk po jepeshin ditën e vikendit, Zabeli ka shkuar në pikën kryesore të vaksinimit, ku thotë se shërbimi ishte i shpejtë dhe nuk iu desh të priste gjatë.

“Më shumë se 15 vjet, për çdo vjeshtë e marr këtë vaksinë për t’u mbrojtur nga këto sëmundjet dimërore, që janë kryesisht inflamacione, viruse e kështu”, ka deklaruar Zabeli.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, me theks të veçantë te personat e moshuar, fëmijët dhe ata që kanë probleme shëndetësore, duke vlerësuar se vaksinimi mund t’i ndihmojë në përballimin e sëmundjeve sezonale.

“Unë kam një mesazh për të gjithë ata që janë të sëmurë: pleqtë që nuk kanë imunitet të mjaftueshëm dhe fëmijët: ta marrin vaksinën, se ua lehtëson kalimin e virozave dhe sëmundjeve të vjeshtës e dimrit”, tha ai.

Zabeli ka vlerësuar edhe mundësinë e vaksinimit falas, si dhe shërbimin që ka marrë në pikën ku është vaksinuar.

“Meqenëse këto janë gratis, shteti i siguron dhe kemi një shërbim të shkëlqyeshëm. Asnjë minutë, dy nuk prita dhe e mora vaksinën këtu. Pse mos ta marrë për të fituar imunitet në organizmin tonë”, ka thënë Zabeli.

Deri në përditësimin e fundit të statistikave, rreth 600 qytetarë janë vaksinuar ditën e enjte në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe në qendrat e tjera të mjekësisë familjare.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, doktoresha pranë Qendrës së Vaksinimit në QKMF në Prishtinë, Rineta Turku, e cila ka thënë se interesimi më i madh është te personat e moshuar dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.

“Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal ka filluar prej ditës së hënë, më 22 tetor. Qytetarët mund ta kryejnë këtë shërbim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në 15 qendra të tjera të Mjekësisë Familjare, ku ka njësi të vaksinimit.

Interesimi i qytetarëve është jashtëzakonisht i mirë. Më të interesuar janë personat me sëmundje kronike dhe personat e moshuar”, ka deklaruar Turku.
Ajo ka bërë të ditur se, sipas statistikave të përditësuara një ditë më parë, numri i qytetarëve të vaksinuar ka arritur në rreth 600.

“Dje, sipas statistikave që i kemi nxjerrë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe nëpër qendrat e tjera, afër 600 qytetarë janë vaksinuar”, ka thënë Turku.

Ajo tregon se qytetarët mund të vaksinohen në QKMF në Prishtinë nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa në qendrat e tjera të mjekësisë familjare vaksinimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në 13:30.

Duke folur për rëndësinë e vaksinimit, Turku ka theksuar se disa kategori të qytetarëve duhet të kenë përparësi, përfshirë personat e moshuar, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç.

“Prioritet kanë personat e sëmurë, personat e moshuar, gratë shtatzëna, fëmijët prej moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike”, ka deklaruar Turku.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke theksuar se vaksinimi ndihmon në parandalimin e komplikimeve shëndetësore dhe uljen e rrezikut për hospitalizim.

“Meqë sezoni i gripit ka filluar, u bëjmë thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi këto vaksina janë shumë të mira dhe i mbrojnë nga përhapja e infeksioneve, nga komplikimet e mëtejshme dhe ndihmojnë në parandalimin e hospitalizimit”, ka thënë Turku.

Sa i përket furnizimit, Turku ka siguruar se aktualisht ka vaksina të mjaftueshme dhe se do të sigurohen doza shtesë nëse rritet kërkesa.

“Kemi vaksina të mjaftueshme. Sa më shumë të rriten kërkesat, ne do të sigurojmë vaksina për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gripi sezonal është një infeksion akut i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave që lirohen gjatë kollitjes dhe teshtitjes.

Ndonëse shumica e të infektuarve shërohen brenda një jave, gripi mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te personat e moshuar, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksinimi vjetor konsiderohet masa kryesore për parandalimin e gripit dhe ndihmon në uljen e rrezikut për forma të rënda të sëmundjes dhe komplikime shëndetësore.

OBSH-ja rekomandon gjithashtu respektimin e masave të higjienës, përfshirë larjen e rregullt të duarve dhe mbulimin e gojës e hundës gjatë kollitjes ose teshtitjes./KosovaPress

Burimi: Dukagjini