
Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka arritur një sukses të veçantë në fushën e trajnimeve ushtarake, duke u bërë ushtari i parë i FSK-së që përfundon me sukses kursin nëntëjavor të Mbrojtjes së Afërt (Close Protection) në Ushtrinë Britanike.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, e cila ka njoftuar se rreshter Valdrin Rrecaj ka përfunduar me sukses këtë trajnim kërkues.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë atasheu britanik i Mbrojtjes, nënkoloneli Denis McMahon, atasheu i Mbrojtjes i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, nënkoloneli Ilir Beqiri, si dhe komandanti i Policisë Ushtarake të FSK-së, major Hekuran Bislimi.
Ambasada britanike e ka përgëzuar Rrecajn për këtë arritje dhe përkushtimin e treguar, duke shprehur shpresën që ky të jetë vetëm fillimi i mundësive të tjera për pjesëtarët e FSK-së për të ndjekur trajnime të specializuara në Ushtrinë Britanike.
Sipas ambasadës, ky sukses dëshmon fuqinë e partneritetit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përkushtimin e përbashkët për avancimin e kapaciteteve ushtarake dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali