Real Madridi ka arritur marrëveshje me Federico Valverden për vazhdimin e kontratës deri në vitin 2031, ndërsa mesfushori uruguaian pritet të përfitojë edhe një rritje të konsiderueshme të pagës, duke u renditur në mesin e futbollistëve më të paguar të skuadrës.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle AS, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjatjen e kontratës edhe për dy vjet të tjera, pasi marrëveshja aktuale e Valverdes ishte e vlefshme deri në vitin 2029.
Rinovimi ende nuk është bërë zyrtar, por marrëveshja tashmë është arritur dhe pritet të pasohet nga nënshkrimi dhe komunikimi i klubit madrilen.
Kontrata e re do ta mbajë 28-vjeçarin në “Santiago Bernabeu” deri në vitin 2031, kur ai do të jetë 33 vjeç. Valverde iu bashkua Real Madridit në vitin 2016, kur u transferua nga Penarol për rreth pesë milionë euro.
Fillimisht luajti te ekipi i dytë, Real Madrid Castilla, ndërsa më pas u huazua te Deportivo La Coruna, para se të bëhej një prej futbollistëve më të rëndësishëm të ekipit të parë.
Përveç zgjatjes së kontratës, marrëveshja parasheh edhe përmirësimin e kushteve financiare. Shuma e saktë e pagës së re nuk është bërë e ditur, por sipas raportimeve, uruguaiani do të ngjitet në mesin e lojtarëve më të paguar në dhomën e zhveshjes së “Los Blancos”.
Ky rinovim është pjesë e strategjisë së Florentino Perezit për të siguruar të ardhmen e futbollistëve kryesorë të skuadrës. Arda Guler ka rinovuar së fundmi deri në vitin 2032, ndërsa një ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe Aurelien Tchouameni.
Ndërkohë, klubi vazhdon punën edhe për vazhdimin e kontratave të Jude Bellinghamit, Thibaut Courtois dhe Brahim Diazit.
Rëndësia e Valverdes në planet e trajnerit Jose Mourinho është një tjetër arsye pse klubi dëshiron ta mbajë atë për një kohë të gjatë. Mesfushori është ndër lojtarët më të aktivizuar të skuadrës këtë sezon, me gjithsej 1.184 minuta të zhvilluara në 15 paraqitje.
Gjatë këtyre ndeshjeve, ai ka luajtur 11 herë në mesfushë dhe katër herë në krahun e djathtë, duke dëshmuar edhe një herë aftësinë për t’u përshtatur në pozicione të ndryshme.
Mourinho e vlerëson jo vetëm për cilësitë teknike dhe fizike, por edhe për përgjegjësinë që merr në fushë si njëri prej liderëve të skuadrës.
Valverde këtë sezon ka regjistruar tri gola dhe dy asistime, me golat e realizuar ndaj Interit, AEK-ut dhe Valencias, në tri ndeshje që përfunduan me fitore të Real Madridit.
Deri më tani, uruguaiani ka zhvilluar 387 ndeshje zyrtare me fanellën e Real Madridit, duke realizuar 44 gola dhe 46 asistime. Në këtë periudhë, ai ka fituar edhe 14 trofe me gjigantin spanjoll, duke u renditur si futbollisti i shtatë i huaj me më së shumti paraqitje në historinë e klubit.
Tashmë pritet vetëm finalizimi formal i marrëveshjes dhe njoftimi zyrtar nga Real Madridi, i cili po punon paralelisht për të siguruar vazhdimësinë e disa prej yjeve të tij kryesorë. /Telegrafi/