Van der Vaart kritikon Holandën: Lojtarët lëviznin si thasë me patate

Van der Vaart kritikon Holandën: Lojtarët lëviznin si thasë me patate

Written by

in

Rafael van der Vaart ka vënë në pikëpyetje karakterin dhe mentalitetin e skuadrës, duke theksuar se mungesa e Frenkie de Jongut dhe Virgil van Dijkut është e vështirë të kompensohet.

Ish-mesfushori i Ajaxit dhe Real Madridit, në një prononcim për televizionin holandez “NOS”, nuk i ka kursyer kritikat për paraqitjen e kombëtares, duke vlerësuar se lojtarëve u mungoi guximi dhe dëshira për të konkurruar.

Van der Vaart veçanërisht ka mbrojtur Frenkie de Jongun, i cili shpesh është kritikuar për paraqitjet e tij, por sipas tij mbetet një prej futbollistëve më të rëndësishëm të Holandës.

“Frenkie është një lojtar shumë i fortë. Ai mund të luajë mirë në të dyja fazat, është vendimtar në sulm dhe e bën ekipin të funksionojë më mirë. Shpesh kritikohet dhe nuk e kuptoj pse. Për mua, ai është futbollisti më i mirë që kemi në skuadër. Më pëlqen jashtëzakonisht shumë dhe mungesa e tij në fushë ndihet dukshëm”, deklaroi Van der Vaart.

Ai foli edhe për rëndësinë e kapitenit Virgil van Dijk, duke theksuar se Holanda nuk ka shumë futbollistë të nivelit të tij.

“Kur gjithçka shkon mirë, disa probleme nuk vërehen. Ne nuk kemi shumë lojtarë të klasit botëror. Jemi një skuadër e mirë, por kur mungojnë futbollistë të caktuar, gjithçka bëhet më e vështirë. Nuk kemi një mbrojtës tjetër të nivelit të Virgil van Dijkut. Ai është kapiten dhe një kampion i vërtetë. Na duhen më shumë lojtarë të kalibrit të tij nëse duam të jemi konkurrues në të gjitha garat”, theksoi ish-futbollisti holandez.

Megjithatë, kritikat më të ashpra Van der Vaart i rezervoi për qasjen e lojtarëve në fushë. Sipas tij, Holanda u paraqit pa energji, karakter dhe vendosmëri, duke mos treguar gatishmëri për të përballuar kundërshtarin.

“Pas fitores së thellë ndaj Greqisë, ndoshta disa menduan se ndeshja do të ishte e lehtë, por kjo nuk është pozitive. Mund të ndodhë që kundërshtari ta mbajë topin më gjatë dhe të detyrohesh të tërhiqesh, por qëndrimi i lojtarëve që pashë ishte shqetësues. Ata lëviznin në fushë si thasë me patate. Dukeshin të frikësuar dhe pa vullnet për të luajtur. Me një mentalitet të tillë nuk mund të arrish larg”, përfundoi Van der Vaart.

Deklaratat e tij kanë rikthyer në vëmendje diskutimet për gjendjen dhe potencialin e Holandës, e cila duhet të tregojë një fytyrë krejtësisht tjetër në paraqitjet e ardhshme.

Burimi: RTKLive