Kanë vazhduar punimet për restaurimin dhe rijetëzimin e Kalasë së Rozafës në Shkodër, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Projekti, i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), po monitorohet nga specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër.
Deri më tani ka përfunduar restaurimi i fasadës së Muzeut të Kështjellës, ndërsa punimet po vazhdojnë në muret perimetrale, kullat, kalldrëmet dhe kompleksin e Barbakanit.
Gjatë ndërhyrjeve në kompleksin e Barbakanit janë zbuluar edhe struktura historike, të cilat parashihet të konservohen dhe të ruhen si vlera të shtuara të monumentit.
Projekti përfshin edhe restaurimin e rrugës historike që lidhte kalanë me Pazarin e Shkodrës, krijimin e hapësirave të parkimit për automjete dhe autobusë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike.
Po ashtu, në kuadër të projektit parashihet krijimi i hapësirave për organizimin e aktiviteteve kulturore, me synim rritjen e potencialit turistik dhe promovimin e mëtejshëm të Kalasë së Rozafës.