
Gazeta Sinjali ka raportuar më herët për vdekjen e një punëtori në një objekt në ndërtim në Ferizaj, ndërsa tashmë janë bërë të ditura detaje të reja për rastin.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Sinjalin se viktima është M.M., 54 vjeç, ndërsa një person tjetër është ndaluar për 48 orë.
Rasti ka ndodhur sot rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, ku viktima dyshohet se gjatë punimeve ndërtimore është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet e Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e tij. Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit rajonalë, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës.
Sipas Veselit, B.T., 31 vjeç, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Vdekja e punëtorit në Ferizaj, ndalohet një person për 48 orë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali