
Boksieri irlandez Lee Reeves ka vdekur në moshën 31-vjeçare, gati tre muaj pasi pësoi lëndime të rënda në tru gjatë një meçi boksi në Dublin.
Reeves ndërroi jetë në Spitalin Universitar të Limerickut, ku po trajtohej pas lëndimeve të marra më 1 gusht, në përballjen kundër bashkëkombësit Gary Cully, në palestrën “3Arena” në Dublin.
Ai pësoi nokaut në raundin e dhjetë të meçit për titullin BUI Celtic në kategorinë super të lehtë.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar kompania promovuese Queensberry, e cila ka shprehur pikëllimin për ndarjen e tij nga jeta.
“Të gjithë në Queensberry jemi të tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lee Reeves. Lee ishte një boksier jashtëzakonisht i talentuar, si dhe një shembull dhe frymëzim i vërtetë për komunitetin e tij”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Edhe kundërshtari i tij në meçin e fundit, Gary Cully, ka shprehur dhimbjen për vdekjen e Reeves, duke e kujtuar me fjalë prekëse.
“Mes nesh nuk ka pasur kurrë asgjë tjetër përveç dashurisë, kampion. Nuk mund ta besoj se po i shkruaj këto fjalë. Pusho në paqe, vëlla”, ka shkruar Cully.
Reeves, i njohur në boks me nofkën “El Champo”, kishte zhvilluar 18 meçe profesioniste, duke regjistruar 16 fitore, prej të cilave 11 me nokaut./Klankosova.tv