
Futbolli liberian është tronditur nga lajmi për vdekjen e ish-kapitenit të kombëtares, Allen Njie, i cili ka ndërruar jetë në moshën vetëm 27-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Njie, i cili gjatë karrierës së tij ishte pjesë e disa klubeve të futbollit zviceran, përfshirë Grasshopperin dhe Aarau-n, dyshohet se u rrëzua papritur teksa po qëndronte në shoqërinë e miqve të tij.
Sipas raportimeve të portalit ganez YEN News, futbollisti u dërgua menjëherë në spitalin më të afërt, por mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën. Shkaku i saktë i vdekjes së tij ende nuk është bërë i ditur.
Gjatë karrierës në Zvicër, mesfushori nga Liberia regjistroi 21 paraqitje me Grasshopperin, 66 me FC Aarau dhe 16 me FC Vaduzin.
Ai ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Liberisë, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit, duke zhvilluar gjithsej 21 ndeshje ndërkombëtare.
Njie kishte qenë në qendër të vëmendjes së mediave zvicerane edhe në vitin 2020, gjatë pandemisë së COVID-19, kur kishte mbetur i bllokuar në vendlindjen e tij në Afrikën Perëndimore dhe nuk kishte mundur të kthehej me kohë te Grasshopperi.
Asokohe, drejtori sportiv i klubit, Bernard Schuiteman, kishte treguar se ishin në kontakt të vazhdueshëm me agjentin e futbollistit dhe po përpiqeshin të mundësonin kthimin e tij.
“Jam në kontakt thuajse çdo ditë me agjentin e tij. Shpresojmë në hapjen e trafikut ajror. Po bëjmë gjithçka që Alleni të kthehet”.
Për shkak të kufizimeve të udhëtimit, Njie iu bashkua ekipit me 51 ditë vonesë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali