Vëmendja e G7 zhvendoset te Ukraina, ndërsa nisin bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi

Vëmendja e G7 zhvendoset te Ukraina, ndërsa nisin bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi

Written by

in

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe homologët e tij nga grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) kanë përqendruar vëmendjen te Ukraina dhe mbështetja për mbrojtjen e saj nga agresioni rus.

Në kohën kur në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë nisur bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, diplomatët e lartë të G7-s po takohen të martën në Francë me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

Sybiha do ta nisë ditën në Paris me një takim me Rubion, përpara se t’u bashkohet homologëve të tjerë në një takim të përbashkët në Ministrinë e Jashtme franceze. Në fokus do të jetë ndihma ushtarake dhe e sigurisë për Ukrainën, të cilën administrata e presidentit Donald Trump e ka reduktuar, duke shkaktuar shqetësim në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane.

Ende nuk dihet nëse SHBA-ja apo ndonjë prej vendeve të tjera të G7-s do të njoftojë ndihma të reja për Ukrainën, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, në Abu Dhabi, të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të takohen me zyrtarë rusë dhe ukrainas. Një prej synimeve është që Moska të bindet të pranojë negociata më të gjera, ku do të përfshiheshin edhe përfaqësues të rëndësishëm evropianë, për t’i dhënë fund luftës që po zgjat prej afro pesë vjetësh.

Vendet evropiane kanë kërkuar vazhdimisht të përfshihen drejtpërdrejt në negociata, por zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e Britanisë, Gjermanisë, Francës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian nuk do të marrin pjesë në bisedimet kryesore në Abu Dhabi. Në vend të kësaj, ata do të diskutojnë paraprakisht garancitë e mundshme të sigurisë dhe arkitekturën afatgjatë të sigurisë mes Rusisë dhe Evropës.

Moska ka kundërshtuar përfshirjen e vendeve evropiane, duke insistuar që negociatat të zhvillohen vetëm në formatin trepalësh mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së. Takimi i fundit mes këtyre tri palëve ishte mbajtur në shkurt.

Megjithatë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i cili u takua veçmas me Rubion në margjinat e takimit të G7-s në Paris, theksoi se Evropa duhet të jetë pjesë e procesit.

“Jam ende shumë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për përpjekjet për t’i ulur palët në konflikt në tryezën e bisedimeve. Por, edhe një herë e bëra të qartë se Evropa duhet të jetë pjesë e kësaj tryeze. Nuk mund të ketë zgjidhje pa Evropën, por vetëm me Evropën”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Rubio tha se Uashingtoni nuk e kundërshton përfshirjen e Evropës në negociatat e drejtpërdrejta në një fazë të mëvonshme, por sipas tij, ende nuk ka ardhur koha për këtë.

“Në fund, kjo do të ishte pozitive, por kemi ende rrugë për të bërë. Është mirë që po zhvillohen bisedime dhe që negociatat trepalëshe kanë rifilluar. Kjo është më mirë sesa të mos ketë fare bisedime”, u shpreh Rubio pas takimeve me homologët e tij të G7-s.

Në prag të negociatave, Rusia sulmoi sërish të hënën rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërsa forcat ukrainase goditën një tjetër prej rafinerive më të mëdha të naftës në Rusi.

Të dyja vendet vazhdojnë luftimet, pa shenja se ndonjëra palë është e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj. Sipas analistëve dhe organizatave humanitare, lufta deri më tani ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra ushtarëve dhe mijëra civilëve. /Telegrafi/