Zvicra renditet në vendin e dhjetë në botë për të jetuar, me 65.44 pikë nga 100 të mundshme, sipas indeksit Nomad Lifestyle Index 2026, të publikuar nga kompania konsulente Nomad Capitalist.
Në këtë renditje, e cila përfshin 63 destinacione, Zvicra vlerësohet veçanërisht për sigurinë dhe liritë individuale, ku ka marrë 92.7 pikë.
Për sistemin tatimor ka fituar 66 pikë, ndërsa për mundësitë e qëndrimit dhe aksesin ligjor 65.8 pikë.
Në kategorinë e cilësisë së jetës dhe infrastrukturës ka marrë 57.4 pikë, kurse për natyrën dhe klimën 45.3 pikë, transmeton Telegrafi.
Në krye të renditjes për vitin 2026 qëndron Monako me 73.89 pikë, i ndjekur nga Andorra me 73.68 dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 73.15 pikë.
Indeksi vlerëson pesë kategori me peshë të barabartë: natyrën dhe klimën, sistemin tatimor, mundësitë e qëndrimit, sigurinë dhe liritë individuale, si dhe cilësinë e jetës dhe infrastrukturën.
Megjithatë, rezultatet duhen interpretuar me rezervë, pasi renditja është hartuar nga një kompani që këshillon kryesisht individë të pasur për zhvendosjen ndërkombëtare dhe planifikimin tatimor./Telegrafi/