
Një varg shkeljesh ligjore janë evidentuar në spitalin “Anaderm Aesthetic Surgery”, në pronësi të ish-deputetit Shaip Muja. Për këto parregullsi, Inspektorati Shëndetësor e ka gjobitur spitalin me 2 mijë euro, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë që e posedon Insajderi.
Gjatë inspektimit janë gjetur shtatë mjekë që ofronin shërbime pa qenë të regjistruar në sistemin e licencimit.
Po ashtu, spitali kryente ndërhyrje kirurgjikale dhe procedura invazive që nuk ishin deklaruar pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Inspektorët kanë evidentuar edhe ofrimin e shërbimeve të kirurgjisë maksillofaciale nga një mjek pa specializimin përkatës, si dhe rastin kur një specializante e kirurgjisë plastike figuron si operatore në dokumentacionin e ndërhyrjeve kirurgjikale.
Kontrolli është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës.
Inspektimi në spitalin e Shaip Mujës
Inspektorati Shëndetësor ka zhvilluar kontroll në ambientet e spitalit “Anaderm Aesthetic Surgery” në Veternik.
Gjatë kontrollit, inspektorët kanë shqyrtuar protokollet, historitë mjekësore dhe regjistrat e pacientëve.
Nga ky verifikim janë evidentuar disa shkelje.
Së pari, në dokumentacionin e spitalit janë identifikuar shërbime invazive dhe kirurgjikale që nuk ishin të njoftuara dhe të licencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në mesin e tyre ishin PRP-ja e flokëve, PRP-ja e gjurit, aplikimi i botox-it dhe fillerëve në buzë, vendosja e balonit gastrik dhe abdomenoplastika.
“Gjatë inspektimit, bazuar në regjistrin e pacientëve, u evidentuan shërbime të palajmëruara në DLA, si: PRP e flokëve, PRP e gjurit, aplikimi i Botox-it, aplikimi i injektuesve në buzë (filler), vendosja e balonit gastrik dhe abdomenoplastika”, thuhet në vendim.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit, Inspektorati ka konstatuar se shtatë mjekë në krye me bashkëshorten e Mujës, Anita Muja ofronin shërbime shëndetësore në këtë institucion, por nuk figuronin të lajmëruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim.
“Po ashtu, nga inspektorati shëndetësor u konstatua se stafi shëndetësor në përbërje: Dr. Anita Muja, Dr. Xhemajl Selmani, Dr. Arben Haliti, Dr. Valon Zejnullahu, Dr. Atdhe Mara, Dr. Nexhdet Uçar dhe Dr. Dile Rrusta, ofronin shërbime shëndetësore në bazë të protokolleve të pacientëve, mirëpo nuk ishin të lajmëruar në DLA.”, ka gjetur Inspektorati.
Sipas vendimit, emrat e tyre janë evidentuar në protokollet e pacientëve, ndonëse nuk ishin të regjistruar në sistemin përkatës të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kirurgji maksillofaciale nga mjeku pa specializim
Një tjetër shkelje e evidentuar lidhet me ofrimin e shërbimeve të kirurgjisë maksillofaciale nga Atdhe Maraj.
Sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga inspektorët, ai kishte titullin Doktor i Stomatologjisë.
Megjithatë, në vendim thuhet se nuk ishte evidentuar përfundimi i shkollimit specialistik në kirurgjinë maksillofaciale.
“Nga raportet e pacienteve dhe sipas regjistrit të pacientëve rezultoi se janë ofruar edhe shërbime specialistike të kirurgjisë maksillofaciale nga Dr. Atdhe Maraj- Doktor i stomatologjisë.” “Nga verifikimi i dokumentacionit konstatohet se Dr. Atdhe Maraj mban titullin Doktor i Stomatologjisë, ndërsa nuk është evidentuar përfundimi i shkollimit specialistik në fushën e kirurgjisë maksillofaciale, duke bërë shkelje të paragrafit 4, të nenit 71, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi që thotë: Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licencës.”
Inspektorati e ka cilësuar këtë si shkelje të Ligjit për Shëndetësi, i cili përcakton se profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licencës.
Specializantja figuron si operatore në dokumentacionin e operacioneve
Parregullsi janë gjetur edhe në dokumentacionin e ndërhyrjeve kirurgjikale.
Sipas vendimit, Dr. Dile Rrusta, e cila në atë kohë ishte në vitin e fundit të specializimit në kirurgji plastike, figuron si operatore në fletëlëshimet operative.
Për këtë çështje, themeluesi i spitalit, Shaip Muja, ka dhënë deklaratë me shkrim para inspektorëve.
Ai ka pretenduar se bëhej fjalë për një gabim administrativ të paqëllimshëm.
Sipas arsyetimit të tij, Rrusta kishte qenë asistente gjatë ndërhyrjeve dhe nuk kishte operuar pa praninë e operatorit primar.
“Nga shqyrtimi i historive të pacientëve rezultoi se janë ofruar edhe shërbime specialistike të kirurgjisë plastike nga Dr. Dile Rrusta, Doktor i Mjekësisë me licencë valide pune. Sipas deklaratës verbale të z. Shaip Muja, Dr. Dile Rrusta ndodhej në vitin e fundit të specializimit në kirurgji plastike.” “Bazuar në deklaratën me shkrim të datës 26.02.2026 të z. Shaip Muja, evidentimi i Dr. Dile Rrusta si operatore në fletëlëshimet operative është cilësuar si gabim administrativ i paqëllimshëm, duke u sqaruar se ajo ka qenë në cilësinë e asistentes gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale dhe, si specializante në vitin e fundit, nuk ka operuar pa praninë e operatorit primar.”.
Për ushtrimin e veprimtarisë pa përmbushur kushtet ligjore për licencimin dhe kuadrin profesional, spitalit “Anaderm Aesthetic Surgery” i është shqiptuar gjobë mandatore prej 2 mijë eurosh.
Lidhur me këto gjetje, Insajderi ka kërkuar sqarime nga spitali “Anaderm Aesthetic Surgery” dhe themeluesi i tij, Shaip Muja.
Atyre u është kërkuar të sqarojnë shkeljet e evidentuara, nëse e kanë paguar gjobën apo kanë ushtruar ankesë, si dhe nëse kanë ndërmarrë masa për licencimin e stafit dhe shërbimeve.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, spitali dhe Shaip Muja nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, “Spitali AnaDerm Aesthetic Surgery SH.P.K.” figuron si biznes aktiv, i regjistruar në maj të vitit 2019, me adresë në rrugën “Zef Jubani”, në Veternik të Prishtinës.
Pronar i vetëm i këtij institucioni është ish-deputeti Shaip Muja, i cili zotëron 100 për qind të aksioneve.
Ai figuron edhe si drejtor dhe përfaqësues i autorizuar i kompanisë.
Në regjistrat e ARBK-së, biznesi ka të deklaruar 15 punëtorë dhe kapital të regjistruar prej 1 mijë eurosh.
Si aktivitet primar, kompania ka të regjistruar mirëmbajtjen trupore. Ndërsa në aktivitetet e tjera përfshihen mjekësia e specializuar, shërbimet e tjera shëndetësore, aktivitetet spitalore dhe mjekësia e praktikës së përgjithshme.
Theksojmë se kjo nuk është hera e parë që spitali “Anaderm” përmendet në media.
Në gusht të vitit 2025, Papirus raportoi për ankesën e një pacienteje, e cila pretendonte se kishte paguar 13 mijë euro për ndërhyrje estetike në këtë klinikë, por nuk kishte marrë rezultatet e pritshme.
Ajo kishte ngritur shqetësime edhe për kujdesin që kishte marrë pas operacioneve./Insajderi.org
Burimi: Insajderi