Vështirësitë në shikim gjatë vozitjes natën, pengesat nga dritat e automjeteve dhe ndryshimet e shpeshta të dioptrisë mund të jenë shenja paralajmëruese të një problemi me shëndetin e syve.
Oftalmologia Rrona Gjini-Bytyqi, e ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit dhe United Hospital ka shpjeguar se këto simptoma mund të lidhen edhe me keratokonusin, një sëmundje që prek kornenë e syrit.
Gjatë intervistës, Gjini-Bytyqi ka treguar se disa pacientë fillojnë të vërejnë ndryshime në shikim pikërisht gjatë vozitjes natën, kur dritat e automjeteve dhe ndriçimi i rrugëve bëhen më shqetësues se zakonisht.
Sipas saj, këto ndryshime mund të shfaqen gradualisht, edhe te personat që më parë nuk kanë pasur vështirësi të tilla.
“Pacientët në disa raste mund të ankohen vetëm për pengesa në shikim natën nga dritat”, ka shpjeguar oftalmologia.
Ajo ka sjellë shembullin e një pacienti që më parë ka vozitur pa probleme gjatë natës, por që brenda disa muajve ka filluar të përjetojë vështirësi.
“Deri para dy-tre muajve kam mundur shumë mirë të vozis natën. Kohëve të fundit kam filluar të kem vështirësi gjatë vozitjes natën”, ka cituar Gjini-Bytyqi një ankesë tipike të pacientëve.
Përveç vështirësive gjatë vozitjes natën, oftalmologia ka përmendur edhe ndryshimet e shpeshta të dioptrisë si një arsye për të kërkuar ekzaminime më të hollësishme.
Ajo ka shpjeguar se një pacient që ka mbajtur syze për vite me radhë mund të vërejë se dioptria po i ndryshon më shumë se zakonisht, veçanërisht gjatë adoleshencës.
Në raste të tilla, sipas saj, është e rëndësishme të vlerësohet nëse pas këtyre ndryshimeve qëndron ndonjë problem tjetër i syrit.
“Atëherë duhet të vërtetojmë mos ka diçka tjetër që është duke ia shkaktuar pacientit këtë ndryshim të madh të dioptrisë”, ka theksuar ajo.
Gjini-Bytyqi ka përmendur edhe një simptomë tjetër që mund të shfaqet te pacientët me keratokonus: shikimin e objekteve si të shtrembëruara ose të dritave si të zgjatura.
“Sot po i shoh si të shtrembëruara objektet, ose po i shoh dritat si të zgjatura. Këtë problem nuk e kam pasur më herët”, ka ilustruar ajo ankesat që mund të paraqesin pacientët.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com