
Aksionet e kompanisë amerikane të inteligjencës artificiale Anthropic kanë rënë me gati 10% vetëm një ditë pas debutimit historik në bursën Nasdaq, duke fshirë një pjesë të madhe të fitimeve të regjistruara gjatë seancës së parë të tregtimit.
Sipas të dhënave të raportuara, aksionet pësuan rënie prej 9,6%, duke zbritur në 87,90 dollarë. Megjithatë, ato mbetën mbi çmimin prej 83 dollarësh, të përcaktuar për ofertën fillestare publike (IPO).
Gjatë ditës së parë të tregtimit, të enjten, aksionet e Anthropic u rritën deri në 34%, duke arritur çmimin prej 111,50 dollarësh. Në kulmin e kësaj rritjeje, vlera e kompanisë në treg u përllogarit përkohësisht në rreth 2 trilionë dollarë. Seanca e parë, megjithatë, u mbyll me aksionet në nivelin 97,17 dollarë.
Presion edhe në tregun teknologjik
Rënia e aksioneve të Anthropic vjen në një kohë kur edhe tregu më i gjerë teknologjik po përballet me presion. Indeksi Nasdaq humbi mbi 1% gjatë së premtes, ndërsa në territor negativ përfundoi edhe S&P 500.
Investitorët po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj kompanive të teknologjisë, veçanërisht atyre që operojnë në fushën e inteligjencës artificiale. Në të kundërt, obligacionet shtetërore amerikane shënuan rritje të kërkesës, ndërsa yield-i i obligacioneve 10-vjeçare ra nën 5%.
Analisti i Jefferies, Jeffrey Favuzza, vlerësoi se pamundësia e Anthropic për ta ruajtur nivelin e çmimit të arritur gjatë debutimit, së bashku me presionin e shitjeve në tregtimin paraprak të së premtes, përbën sinjal negativ edhe për pjesën tjetër të sektorit teknologjik.
Ecuria e aksioneve të Anthropic në ditët në vijim pritet të tregojë se si tregjet do t’i vlerësojnë kompanitë e inteligjencës artificiale pas debutimeve me vlerësime rekord.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali