Vetura që e bën të pamundurën, tërheq aeroplanin Boeing 747 me vetëm dy rrota

Vetura që e bën të pamundurën, tërheq aeroplanin Boeing 747 me vetëm dy rrota

Written by

in

Prodhuesi kinez BYD, përmes markës së tij premium Denza, ka realizuar një demonstrim të pazakontë të fuqisë së automjeteve hibride, duke tërhequr një aeroplan Boeing 747-400, me peshë rreth 180 tonë, me SUV-in Bao 5 që përdorte vetëm dy rrota.

Testimi u zhvillua në aeroportin Dunsfold, në Surrey të Anglisë, ku kompania synoi të demonstronte aftësitë e sistemit elektrik të automjetit.

Sipas Denza, kjo është hera e parë që një automjet prodhimi tërheq një aeroplan duke përdorur vetëm dy rrota, si dhe hera e parë që një Boeing 747 tërhiqet vetëm me energji elektrike.

Demonstrimi u realizua në tri faza.

– YouTube www.youtube.com

Fillimisht, SUV-i tërhoqi aeroplanin me katër rrota, më pas me tri, ndërsa në provën përfundimtare përdori vetëm dy rrota.

Gjatë tri provave, automjeti përshkoi gjithsej 1,600 metra.

Për këtë sfidë, inxhinierët instaluan një mekanizëm të posaçëm tërheqjeje dhe shtuan peshë në automjet për të ruajtur stabilitetin, por sistemi i tij i fuqisë mbeti i pandryshuar.

Denza Bao 5 është i pajisur me motor 1.5-litërsh turbo me benzinë dhe tre motorë elektrikë, që së bashku prodhojnë 544 kuaj fuqi.

Sfidën e vështirësuan edhe reshjet e dendura të shiut, të cilat ulën kapjen e gomave me pistën.

Megjithatë, ekipi arriti ta përfundonte me sukses testimin.

Pas përfundimit, kompania njoftoi se kontrollet nuk zbuluan dëmtime apo shenja të mbingarkesës së tepruar në motor, shasi ose goma.

Me këtë demonstrim, Denza synon të tregojë potencialin e teknologjisë hibride dhe fuqinë e motorëve elektrikë në kushte të jashtëzakonshme. /Telegrafi/