
Vinícius Jr mund të humbasë përballjen e madhe ndaj Barcelonës, më 25 tetor, pas kartonit të kuq të marrë në fitoren 1:0 të Real Madridit kundër Villarrealit.
Sulmuesi brazilian kërkoi falje ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve pas incidentit me Nathan Saliba, të cilit ia tërhoqi flokët gjatë ndeshjes së zhvilluar të shtunën në “Santiago Bernabeu”.
Vinícius u inkuadrua në lojë në minutën e 52-të, ndërsa rreth 20 minuta më vonë u përjashtua nga gjyqtari. Fillimisht, braziliani mendoi se kishte shënuar golin e dytë për madrilenët, por pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua dhe ai u ndëshkua me karton të kuq për veprimin ndaj kundërshtarit.
Pas ndeshjes, futbollisti reagoi përmes rrjeteve sociale, ku shprehu keqardhje për atë që ndodhi.
“Më falni, skuadra ime dhe tifozët”, shkroi Vinícius, shkruajnë mediat ndërkombëtare transmeton Klankosova.tv.
Tashmë, lojtari duhet të presë vendimin e komisionit disiplinor të Federatës Spanjolle të Futbollit për ta kuptuar kohëzgjatjen e pezullimit.
Sipas nenit 130 të rregullores disiplinore të futbollit spanjoll, sjellja e dhunshme mund të dënohet me pezullim prej një deri në tri ndeshjesh, në rastet përkatëse kur nuk shkaktohet lëndim te kundërshtari.
Vendimi disiplinor mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në planet e Real Madridit, pasi më 25 tetor skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso pritet të përballet me Barcelonën në “Camp Nou”, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Para El Clásicos, madrilenët kanë përballjen me Sevillan, ndërsa në kalendar figuron edhe dueli me Barcelonën. Nëse Vinícius dënohet me dy ose tri ndeshje pezullim, ekziston rreziku që ai të mungojë ndaj rivalit të përbetuar.
Për Real Madridin, mungesa e brazilianit do të ishte një goditje e rëndësishme në prag të El Clásicos. Gjithçka do të varet nga vendimi përfundimtar i organeve disiplinore.