Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Written by

in

Vitia: 53.4 për qind e grave me kancer të gjirit diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë, duke theksuar se zbulimi i hershëm rrit mundësitë për sukses të trajtimit dhe mbijetesë.

Këto deklarata Vitia i bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për rëndësinë e ndërgjegjësimit, diagnostikimit të hershëm dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për gratë.

“Pas çdo diagnoze të kancerit të gjirit, është një grua, një familje, dhe një përditshmëri që ndryshon në momentin kur kuptohet. Për një grua që pret rezultatet e ekzaminimeve, rëndësi ka të marrë përgjigjen në kohë, të kuptojë çfarë e pret dhe të dijë se ka profesionistë që do t’i qëndrojnë pranë gjatë gjithë kësaj faze. Ju jeni ata që me dijen, kujdesin, përkushtimin e juaj ndërtoni edhe besimin, edhe sigurinë që i duhet një gruaje në këto momente të vështira. Më vjen mirë që gjatë tetorit rozë, gjatë çdo tetori, çdo vit më shumë, po intensifikohen shumë aktivitete të cilat kanë të bëjnë me kancerin e gjirit, në mënyrë që përveç pjesës profesionale që përmendi profesor Rifati dhe profesor Albani, të jetë edhe pjesa e ndërgjegjësimit dhe jam i lumtur që nga viti 2024, falë punës e angazhimit të përbashkët të gjithë juve, pa përjashtim, shumica mbi gjysma e pacientëve me kancer të gjirit në Republikën e Kosovës, diagnostikohen në fazën e parë dhe të dytë, ku suksesi i terapisë dhe suksesi i mbijetesës është shumë më i madh. Bashkërisht, ne po angazhohemi që çdo grua, pavarësisht vendbanimit, apo gjendjes ekonomike, të ketë qasje në këto shërbime”, tha ai, raporton EO.

Vitia bëri të ditur se Kosova ka për herë të parë planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028.

Ai theksoi se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa këtë vit pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komuna ku kanë munguar këto pajisje.

“Për herë të parë, Kosova e ka edhe planin e veprimit të skriningut për kancerin e gjirit 2026-2028, dhe mamografia tashmë një kohë po ofrohet falas në të gjitha institucionet tona shëndetësore publike. Këtë vit po shtohen edhe 8 mamografë të tjerë digjitalë në komunat ku kanë munguar, ndërsa përmes mamografit mobil po ofrojmë edhe shërbimin edhe për gratë në komunat ku nuk ka aparatura për momentin. Nga viti 2024, siç e thashë, falë këtij angazhimi e falë punës suaj, 53.4% e grave janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë. Paralelisht, bashkë me Klinikën e Onkologjisë dhe drejtorin Kurtishi, tash edhe kemi modernizuar edhe Klinikën e Onkologjisë, me dy akseleratorë të rinj dhe buxhetin për barna onkologjike nga 8 sa ka qenë në 22 milion euro”, tha Vitia.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tha se gjatë vitit 2025, në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, janë realizuar 1 mijë e 847 mamografi, prej të cilave 463 vetëm gjatë muajit tetor.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, rreth 150 prej tyre gjatë muajit tetor.

“Kanceri i gjirit mbetet një sfidë e rëndësishme në shëndetin publik, përballja me këtë sëmundje kërkon bashkëpunim ndërdisiplinor, ndërgjegjësim të vazhdueshëm dhe efikasitet klinik të ndërprerë. Angazhimi i kryeqytetit, Drejtorisë së Shëndetësisë të Komunës së Prishtinës, e konsideron promovimin e shëndetit të gjirit të mbështetur në aktiviteteve për zbulimin e hershëm si pjesë të rëndësishme të përgjithësisë ndaj qytetarëve. Gjatë vitit 2025, në kuadër të aktiviteteve tona, punës, angazhimit dhe parandalimit të kësaj sëmundje, janë realizuar 1847 mamografi. Prej tyre, 463 vetëm gjatë muajit tetor. Derisa këtë vit, deri sot janë realizuar 700 mamografi, rreth 150 në muajin tetor, deri sot”, tha Gashi.

Kurse, kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Osman Zhuri, tha se simpoziumi synon të shërbejë si mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe profesionistëve shëndetësorë.

“Simpoziumin e tretë për kancerin e gjirit, të organizuar nga Kolegji i Panshqiptar i Kirurgëve. Dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, Shoqatën e Gjirit dhe Shoqatën e Onkologëve të Kosovës. Në mesin e aktiviteteve që organizon Kolegji i Kirurgëve të Kosovës sivjet, kjo aktivitet ka një privilegj të veçantë pasi që është edhe pjesë e aktiviteteve të programit roz. Ky simpozium, na jep mundësi të ndajmë njohuri, përvoja dhe ide të reja, si dhe të forcojmë bashkëpunimin tonë në shërbim të një komuniteti që ballafaqohet me probleme tejet serioze, të natyrës jetike, shëndetësore”, tha ai.