Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ku kanë diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.
Gjatë takimit, ministri Vitia prezantoi prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua trajnimit të profesionistëve shëndetësorë dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore në Kosovë, shkruan Telegrafi.
Në takim u diskutua edhe për marrëveshjen ndërmjet organizatës gjermane GIZ dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), e cila parasheh mbështetje gjermane për modernizimin e sistemit shëndetësor të vendit.
Në fund të takimit, Vitia falënderoi ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite./Telegrafi/