
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, ka komentuar në seancën parlamentare vizitën e javës së kaluar të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë për arsye familjare.
Demaku tha se ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kthehen në vendin e tyre vetëm në raste dhimbjeje e morti, ndërsa kësaj radhe ishte radha e Jakup Krasniqit, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Ai shprehu shqetësim dhe indinjatë për trajtimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Kuvendit, duke rikujtuar se Krasniqi është 75-vjeçar dhe është dënuar me 25 vjet burgim.
“Shpreh shqetësimin dhe indinjatën për trajtimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryetarit të Kuvendit, njeriu që gjithë jetën ia kushtoi idealit dhe lirisë”, deklaroi Demaku.
Ai kritikoi edhe pamjet gjatë vizitës së Krasniqit, duke i cilësuar si të pakuptimta, pasi sipas tij, nuk u mor parasysh respekti ndaj familjes dhe trajtimi njerëzor në rrethana tepër të ndjeshme.