
Mërgim Vojvoda synon të vazhdojë të luajë në futbollin italian, pavarësisht ofertave që kishte marrë nga Lindja e Mesme gjatë afatit kalimtar të verës.
Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës është njëri prej futbollistëve të paktë kosovarë që aktivizohen në njërën prej pesë ligave më të forta në Evropë. Që nga viti 2020, ai ka zhvilluar 180 ndeshje në Serie A, duke luajtur për Torinon, Comon dhe aktualisht Udinesen.
Nga këto paraqitje, 135 i ka regjistruar me fanellën e Torinos, 45 me Comon, ndërsa 14 me Udinesen.
Në një intervistë të dhënë të martën në emisionin “Udinese Tonight” të “TV 12”, Vojvoda ka treguar se ka refuzuar ofertat nga Lindja e Mesme, pasi dëshiron të mbetet në një kampionat të nivelit të lartë.
“Më pëlqen të luaj në Itali, niveli është shumë i lartë. Në verë, më kontaktuan nga Lindja e Mesme, por doja të qëndroja në një ligë të nivelit të lartë, dhe ja ku jemi në krye. Në ekipin kombëtar, flas me shokët e mi të ekipit që kanë luajtur në Itali, Francë dhe Spanjë, dhe ata thonë se liga italiane është më e vështirë, veçanërisht nga pikëpamja taktike dhe përqendrimi që kërkon. Nuk mund të bësh gabime”, ka thënë Vojvoda.
Futbollisti 31-vjeçar ka folur edhe për përshtatjen e tij në Itali, duke theksuar se integrimi në shoqëri dhe mësimi i gjuhës ishin ndër prioritetet e tij që nga ardhja në këtë vend.
“Sapo mbërrita në Itali, u përpoqa të integrohesha dhe pas disa muajsh jepja intervista në italisht. Kjo është shumë e rëndësishme për mua. Së pari duhet të integrohesh, pastaj të tjerët do të hapin krahët. Të tjerët presin që të jetë e kundërta, por duhet të jesh i pari që mëson gjuhën, kulturën dhe ushqimin”, është shprehur Vojvoda.
Mbrojtësi i Kosovës iu bashkua Torinos në shtator të vitit 2020, pasi u transferua nga Standard Liege i Belgjikës. Me skuadrën torineze qëndroi deri në shkurt të vitit 2025, kur kaloi te Como. Në korrik të këtij viti, ai iu bashkua Udineses.
Vojvoda ka thënë se është ndier mirë që nga momenti i parë te skuadra e re, ndonëse ka pranuar se përgatitja fizike dhe përshtatja me kërkesat e ekipit i kanë marrë kohë.
“Kur mbërrita, menjëherë ndjeva ngrohtësinë e klubit dhe të tifozëve. U ndjeva mirë. Përgatitja fizike që bëmë ishte e ndryshme nga ajo me të cilën isha mësuar dhe nuk isha në formën time më të mirë fizikisht. Sa më shumë ndeshje kalonin, aq më shumë e ndjeja këtë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Edhe në një situatë si kjo, kur arrin të dalësh nga një situatë e vështirë, është edhe më e mrekullueshme. Dua të jap 100% deri në fund”, është shprehur ai.
Aktualisht, Udinese po kalon një periudhë të vështirë në kampionat, duke u renditur në vendin e parafundit me gjashtë pikë. Megjithatë, Vojvoda beson se skuadra ka potencialin për ta përmirësuar pozitën e saj dhe për t’u larguar nga zona e rënies.
Ai ka folur edhe për periudhën e kaluar te Como, ku ishte nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas dhe u aktivizua në disa pozita të ndryshme.
“Nën drejtimin e Fabregasit, luaja si mbrojtës i djathtë, mbrojtës i majtë dhe sulmues anësor. Në fillim të sezonit të kaluar te Como, të gjithë sulmuesit anësorë ishin të lënduar, dhe ai më aktivizoi atje. Luajta shumë mirë dhe e kalova gjithë sezonin në atë rol. E njoh ligën italiane tani, thjesht duhet të kuptoj stilin e lojës që dëshiron trajneri i Udineses dhe mund të luaj në pozicione të ndryshme”, ka thënë ai.
Vojvoda e ka vlerësuar lart punën e Fabregasit, duke e cilësuar atë “mjeshtër”. Ai ka kujtuar edhe periudhën kur Como ishte në zonën e rënies, por arriti ta përfundonte sezonin në vendin e dhjetë.
“Kur mbërrita në Como, ishim në zonën e kuqe, por trajneri ishte i bindur se mund ta bënim dhe përfunduam të dhjetët. Këtu, si atje, e dimë cilësinë që kemi. Është e rëndësishme që të gjithë të jenë fizikisht dhe mendërisht të aftë dhe të japin gjithçka. Nëse është kështu, jam i bindur. Kemi shumë potencial. Deri më tani, gjithmonë na ka munguar dikush dhe nuk ka qenë e lehtë as për trajnerin. Nëse të gjithë janë të shëndetshëm, mund të bëjmë po aq mirë sa vitin e kaluar”, ka deklaruar Vojvoda.
Mërgim Vojvoda është njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të Përfaqësueses së Kosovës. Që nga viti 2017, ai ka regjistruar 81 paraqitje me fanellën e Dardanëve, duke qenë lojtari me më së shumti ndeshje në histori të përfaqësueses.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali