Vrasja e Arlinda Zekajt, Ministria publikon gjetjet dhe rekomandimet nga Raporti i Inspektimit të Jashtëzakonshëm në QPS-në në Pejë

Vrasja e Arlinda Zekajt, Ministria publikon gjetjet dhe rekomandimet nga Raporti i Inspektimit të Jashtëzakonshëm në QPS-në në Pejë

Written by

in

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar përmbledhjen e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës Arlinda Zekaj, e cila dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj.

Në njoftimin e MPFVLÇ thuhet se raporti konstaton mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.

Ndërkaq, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., sipas përgjegjësive të tyre dhe procedurave ligjore.

Lexoni të plotë përmbledhjen e publikuar nga Ministria:

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, bën publike përmbledhjen e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës A. Z.

Raporti konstaton mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.

Konkretisht:

1. Dorëzimin e raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e datës 24.09.2026. Raporti është dorëzuar më 05.10.2026.

2. Neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, përkatësisht mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të datës 05.10.2026.

3. Mosrealizimin e monitorimit që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht se QPS-ja kishte përgjegjësi për të vepruar edhe pa detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.

4. Moszbatimin e procedurave standarde të menaxhimit të rastit: mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe moshartimin e Planit Individual të Shërbimeve.

5. Mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit, në kuadër të përgjegjësisë së tij për monitorimin e punës së zyrtarëve profesionalë dhe organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Social në QPS Pejë.

Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., sipas përgjegjësive të tyre dhe procedurave ligjore.

Raporti i rekomandon gjithashtu Kryetarit të Komunës:

– Rritjen urgjente të kapaciteteve të stafit profesional të licencuar, duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë e stafit në raport me vëllimin e përgjegjësive dhe territorin që mbulon QPS Pejë.

– Ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., për të mundësuar punën e pavarur profesionale të QPS-së dhe ndarjen e qartë të detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve ndërmjet dy institucioneve.

PËR QENDRËN PËR PUNË SOCIALE NË PEJË, RAPORTI REKOMANDON:

– Menaxheri i rastit dhe kujdestari ligjor të sigurojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta monitoruese për fëmijën e vendosur në strehimore, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore, psikosociale dhe përshtatjen e tij, si dhe duke dokumentuar shërbimet e ofruara.

– QPS-ja të koordinojë shërbimet me institucionet përkatëse, bazuar në nevojat dhe planin individual të shërbimeve për fëmijën.

– Të kërkojë nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale zhvillimin e procedurave për rritjen e stafit profesional të licencuar.

– Zyrtarët e Shërbimit Social të përdorin të gjithë formularët standardë të menaxhimit të rasteve.

– Të vlerësohen nevojat për trajnim dhe ritrajnim të stafit për zbatimin e legjislacionit, procedurave standarde dhe standardeve minimale, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Kërkojmë nga Komuna e Pejës trajtimin pa vonesë të rekomandimeve dhe njoftimin zyrtar të Ministrisë për veprimet e ndërmarra. Ministria do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës. /Telegrafi/