Vrasja e Arlinda Zekajt, raporti i dy ministrive zbulon lëshime serioze institucionale – viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje

Vrasja e Arlinda Zekajt, raporti i dy ministrive zbulon lëshime serioze institucionale – viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje

Written by

in

Vrasja e Arlinda Zekajt, raporti i dy ministrive zbulon lëshime serioze institucionale – viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje

Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës ka nxjerrë në pah një varg mangësish dhe mosveprimesh institucionale, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të viktimës për rrezikun që i kanosej.

Raporti i përbashkët i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme evidenton vonesa dhe lëshime në trajtimin e rastit nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor, pak minuta pasi ishte shoqëruar në shtëpinë e saj nga zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Sipas gjetjeve të raportuara nga dokumenti, viktima kishte përjetuar për më shumë se 12 vite dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte martuar në vitin 2010.

Ajo ishte kthyer në Kosovë gjatë vitit 2024 së bashku me djalin e saj, ndërsa bashkëshorti qëndronte kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Policia ishte njoftuar për armën, por nuk rezulton të jetë sekuestruar

Një ndër gjetjet më shqetësuese të raportit lidhet me faktin se autoritetet policore ishin informuar se bashkëshorti i viktimës posedonte armë me leje.

Megjithatë, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, nuk rezulton që Policia e Kosovës të ketë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e armës.

Raporti përshkruan edhe një incident të dhjetorit 2025, kur bashkëshorti dyshohet se e kishte kërcënuar dhe ofenduar Arlindën, duke kërkuar që ajo të largohej nga shtëpia.

Sipas deklarimeve të viktimës, ai më pas ishte kthyer në banesë dhe u kishte vënë zjarrin sendeve të saj personale.

Ngjarja ishte dokumentuar përmes një videoje, të cilën Arlinda e kishte dorëzuar në polici si provë.

Kërkonte mbrojtje, raportonte deri dy herë në ditë

Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhër mbrojtjeje, përmes të cilit bashkëshorti obligohej t’i mundësonte viktimës kthimin dhe shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët.

Me vendimin gjyqësor ishte përcaktuar edhe distanca që ai duhej të mbante nga viktima, përkatësisht dy metra brenda banesës dhe 20 metra jashtë saj.

Por, pavarësisht urdhrit gjyqësor, Arlinda kishte vazhduar të raportonte në polici se nuk po mund të hynte në shtëpinë e saj.

Sipas raportit, ajo kishte paraqitur ankesa të vazhdueshme, në raste të caktuara edhe dy herë brenda ditës, duke kërkuar rivlerësimin e rrezikut dhe masa shtesë për sigurinë e saj.

Raporti trajton gjithashtu procedurat lidhur me kujdesin ndaj djalit të mitur, për të cilin gjykata kishte vendosur që t’i besohej nënës.

Vrasja dhe veprimet pas ngjarjes

Më 25 tetor 2026, Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua dy ditë pas ngjarjes.

Një ditë pas vrasjes, më 26 tetor, gjykata kishte pranuar kërkesën e prokurorisë për kryerjen e autopsisë.

Sipas raportit, Instituti për Mjekësi Ligjore kishte ndërmarrë procedurat përkatëse, ndërsa raporti përfundimtar i autopsisë parashihej t’i përcillej prokurorit të rastit.

Gjetjet e raportit ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën se si institucionet përgjegjëse i kishin trajtuar denoncimet, paralajmërimet dhe kërkesat për mbrojtje të viktimës.

Megjithatë, evidentimi i lëshimeve institucionale nuk përbën në vetvete konstatim përfundimtar të përgjegjësisë penale të zyrtarëve të përfshirë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali