Vrasja e paralajmëruar e Arlinda Zekajt, as Gërvalla e as Sveçla nuk japin dorëheqje

Vrasja e paralajmëruar e Arlinda Zekajt, as Gërvalla e as Sveçla nuk japin dorëheqje

Written by

in

Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla, e ministri i punëve të brendshme Xhelal Svecla, patën në dispozicion plotë 72 orë të hartonin nga një raport, për rastin e Arlinda Zekajt.

Këto raporte që i janë dorëzuar kryeministrit Albin Kurtit, nuk përmbajnë asgjë më shumë, sesa ajo që nga e hëna kanë raportuar mediat, dhe dëshmitë që i ka lënë vet e ndjera, Arlinda Zekaj, për dështimin institucional për ta mbrojtur.

Asnjëri nga ta nuk ndihet përgjegjës, ndonëse një nga një përmendën vetë dështimet që kishin qenë në këtë rast.

“Por të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizimi që do të kontribuonte për një identifikim më të saktë, më të shpejt dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje, mendoj që është e kundërta..”, deklaroi ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.

“Nuk mendoj që dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në mbrojtjen e të drejtave të saj sepse ne jemi të angazhuar 100% në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë. Të ju them të drejtën unë jam bashkë me protestuesit në këtë pikë, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gërvalla, tek kritikonte të gjithë sistemin e drejtësisë, ngriti edhe një pyetje, të cilët nuk i dha përgjigje konkrete.

“Duhet të shqyrtohet edhe një pyetje tjetër, ‘A mund të shpjegohen të gjithë këto mosveprime vetëm me neglizhencë apo ka pasur edhe ndikime të jashtme përfshirë ndikime të mundshme nga qarqe politike apo kriminale’. Raporti nuk përmban prova të drejtpërdrejta për një ndikim të tillë, por përmasat dhe përsëritja e mosveprimeve e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie..”, tha Gërvalla.

E ministri i Punëve të Brendshme, që dikur thoshte që Policia ishte agjenci ekzekutive e Qeverisë, e që në këtë rast edhe Policia është evidentuar se ka dështuar, tani thotë se përgjegjësia është që çdo veprim dhe mosveprim të hetohet deri në fund, përfshirë përgjegjësinë penale.

“Gjetjet e raportit që pres të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria evidentojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe zingjir komandues. Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen mosekzekutimin e urdhrit të parë për mbrojtjen, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për mbrojtjen e Arlindës”, tha Sveçla.

Arlinda Zekaj, pak ditë para se të vritej u ishte drejtuar të gjitha institucioneve të drejtësisë e sigurisë, për ndihmë, por asnjëra nuk kishte vepruar me urgjencë, e vetëm pak minuta pas Policia e la në shtëpinë e përbashkët, ajo u vra më sëpatë nga Albert Sylaj, ish-kunati i saj.

Tashmë për këtë rast janë suspenduar kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e prokurorja e rastit Arlinda Nallbani, si dhe i githë sitemi komandues i Policisë atje, prej 11 zyrtarësh.

Burimi: Dukagjini