Vrau shqiptarin në Spanjë për 5 euro, prokuroria kërkon mbi 22 vjet burg për 52-vjeçarin

Vrau shqiptarin në Spanjë për 5 euro, prokuroria kërkon mbi 22 vjet burg për 52-vjeçarin

Written by

in

Prokuroria në Spanjë ka kërkuar 22 vjet e 5 muaj burg për një 52-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e shqiptarit A.R, pas një konflikti për vetëm 5 euro. Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 2 mars 2023, në Riudarenes, në provincën e Gironës, në Katalonjë.

Sipas raportimit të gazetës spanjolle El Pais, shqiptari jetonte që nga fundi i vitit 2022 me të dyshuarin, të njohur me nofkën “El Seco”, në një banesë ku të dy kujdeseshin dhe ruanin një plantacion kanabisi.

Marrëdhëniet mes tyre ishin përkeqësuar dhe dyshohet se kishin pasur edhe përleshje të mëparshme.

Natën e 2 marsit 2023, ai u zhduk pa lënë gjurmë. Disa ditë më vonë, një i njohur i tij njoftoi policinë katalanase për zhdukjen, ndërsa hetuesit arrestuan 52-vjeçarin dhe zbuluan plantacionin e kanabisit në banesë.

Megjithatë, për shqiptarin nuk u gjet asnjë gjurmë, transmeton Telegrafi.

Sipas dyshimeve të hetuesve, konflikti fatal kishte nisur pasi 52-vjeçari e akuzonte shqiptarin se i kishte marrë 5 euro.

Prokuroria pretendon se i dyshuari e kishte sulmuar atë teksa ai ndodhej i shtrirë në shtrat dhe nuk kishte mundësi të mbrohej, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën.

Trupi i shqiptarit nuk u gjet kurrë i plotë. Më 17 prill 2023, rreth një muaj e gjysmë pas zhdukjes, një person që po shëtiste qenin zbuloi një numër të madh eshtrash në një zonë pyjore, e përdorur edhe si vendgrumbullim mbeturinash, pranë banesës ku dyshohet se ndodhi vrasja.

Sipas prokurorisë, i dyshuari kishte transportuar trupin në atë zonë me qëllim që kafshët e egra, përfshirë derrat e egër dhe qentë, ta copëtonin dhe të zhduknin gjurmët e krimit.

Pranë eshtrave u gjet edhe një thikë, ndërsa hetuesit zbuluan gjurmë gjaku në dhomën e gjumit, në një furgon që dyshohet se ishte përdorur për transportimin e trupit, si dhe në disa sende personale dhe rroba.

Prokuroria e akuzon 52-vjeçarin për vrasje dhe përdhosje të kufomës, ndërsa kërkon gjithsej 22 vjet e 5 muaj burg. Ndërkohë, familjarët e viktimës, përmes përfaqësuesve të tyre ligjorë, kanë kërkuar dënim deri në 25 vjet burg dhe dëmshpërblime më të larta.

I dyshuari i mohon akuzat. Mbrojtja e tij pretendon se çështja mbështetet kryesisht në prova indirekte dhe kërkon pushimin e procedurës, duke kundërshtuar mënyrën se si hetuesit kanë lidhur gjurmët e gjakut dhe provat e tjera me autorësinë e krimit.

Pas përfundimit të hetimeve, gjykata në Santa Coloma de Farners ka vendosur që çështja të kalojë në gjykim me juri./Telegrafi/